
Partia Demokratike ka zyrtarizuar përbërjen e Kryesisë së re, pas votimit të zhvilluar në mbledhjen konstituese të Këshillit Kombëtar. Në të njëjtën mbledhje u zgjodh edhe Juliana Emiri si kryetarja e parë grua e Këshillit Kombëtar në historinë e PD-së.
Sipas njoftimit zyrtar, në Kryesinë e re u zgjodhën 20 anëtarë, ndërsa 60% e tyre janë gra, vajza dhe të rinj nën moshën 35 vjeç. Gjithashtu, 14 nga 20 anëtarët e zgjedhur janë për herë të parë pjesë e këtij organi drejtues.
Në kategorinë e grave u zgjodhën Eda Grimci, Edith Harxhi, Florjana Garo, Ilda Zhulali, Lili Sula dhe Mimoza Hajdarmataj. Mes të rinjve fitues janë Andia Ulliri, Desada Xhetani, Fatjon Bathorja, Glauk Olldashi, Lorenca Hoxha dhe Nikola Kedhi, ndërsa në kategorinë e burrave u zgjodhën Atird Hoxha, Dorjan Teliti, Ervin Minarolli, Fisnik Qosja, Gjin Gjoni, Grigels Muçollari, Ilir Alimehmeti dhe Keltis Kruja.
PD bëri të ditur se në vijim Kryesia do të miratojë përfaqësuesit e diasporës në Këshillin Kombëtar dhe në Kryesi, ndërsa më pas do të zgjidhen edhe Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët, sekretariatet dhe departamentet, duke përmbyllur procesin e riorganizimit të partisë.






