
Debati mbi statusin “non grata” të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas raportimeve për heqjen e masës nga Shtetet e Bashkuara dhe reagimit të aktivistes Evi Kokalari.
Mbrëmjen e së enjtes, Zyra e Shtypit e Departamentit Amerikan të Shtetit reagoi lidhur me lajmin për heqjen e masës ndaj Berishës. Në përgjigjen e saj, DASH deklaroi se në disa raste janë miratuar përjashtime nga shpalljet e mëparshme sipas nenit 7031(c), kur një vendim i tillë i shërben interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
“Departamenti i Shtetit ka miratuar përjashtime (waivers) për disa nga shpalljet sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës dhe të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në reagimin e DASH.
Megjithatë, pak orë më vonë, Evi Kokalari kundërshtoi publikisht interpretimet se Berishës i është hequr statusi “non grata”.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo deklaroi se sanksionet ndaj Berishës dhe familjes së tij mbeten në fuqi.
“Non grata nuk është hequr. E përsëris: sanksionet nuk i janë hequr as Sali Berisha, as familjes së tij”, shkroi Kokalari.
Ajo u bëri thirrje mbështetësve të opozitës të mos fokusohen te debati për statusin e Berishës, por te protestat kundër klasës politike.
“Dilni në protestë dhe mos u bëni viktimë e atyre që e kanë marrë atë peng. Qëndrojini të vërtetë qëllimit: shkatërrim total i të gjithë kupolës, pa asnjë përjashtim”, u shpreh ajo.
Deklaratat e kundërta kanë shtuar konfuzionin rreth kuptimit të reagimit të DASH dhe statusit aktual të Berishës, ndërsa debati pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.






