
Revolta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 12-të, ndërsa protestuesit kanë nisur mobilizimin për tubimin e paralajmëruar të së premtes në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e një aktiviteti në Sheshin “Italia” në të njëjtin orar me protestën, organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
“Nesër të jemi sa më shumë kundër antimitingut të Ramës me administratën e tij”, ishte një nga mesazhet e shpërndara pas përfundimit të protestës së sotme.
Në fokus të thirrjeve kanë qenë edhe punonjësit e administratës publike. Protestuesit i kanë ftuar ata të mos përdoren për qëllime politike dhe të bashkohen me qytetarët që kërkojnë ndryshim.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja masive në protestën e nesërme do të jetë përgjigjja ndaj asaj që ata e konsiderojnë një përpjekje për të demonstruar mbështetje politike përmes administratës shtetërore.
Protesta kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisë pritet të vazhdojë edhe nesër, ndërsa përplasja politike mes organizatorëve dhe mazhorancës po intensifikohet në prag të tubimeve paralele të paralajmëruara në Tiranë.






