Çmimet globale të naftës kanë shënuar një tjetër rekord në kulmin e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke kaluar mbi 125 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga përshkallëzimi i konfliktit SHBA–Iran.

Rritja e fortë e çmimeve vjen në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton zgjatjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane, një masë që rrezikon të thellojë krizën energjetike globale.

Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe në terren. Këshilltarë të lartë ushtarakë në Iran kanë paralajmëruar se vendi “nuk do të tolerojë” një zgjatje të bllokadës dhe se do të reagojë nëse ajo vazhdon.

Situata ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregjet ndërkombëtare. Në SHBA, çmimi i karburantit ka arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit, ndërsa në Azi po ndihen pasojat më të rënda për shkak të varësisë nga furnizimet që kalojnë përmes ngushticës së Hormuzit.

Kjo rrugë strategjike, nga e cila kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit në botë, mbetet praktikisht e bllokuar, duke shkaktuar mungesa, rritje kostosh dhe presion mbi ekonomitë e vendeve importuese.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për një marrëveshje paqeje vijojnë, por negociatat mes SHBA dhe Iranit mbeten të bllokuara. Sipas burimeve, një propozim i ri nga Teherani mund të paraqitet në ditët në vijim.

Në këtë klimë pasigurie, ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti zgjatet, ndikimi në çmimet globale, inflacionin dhe zinxhirët e furnizimit do të jetë edhe më i rëndë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu