Maroku ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin e thellë 3-0 Kanadanë në ndeshjen e fazës së 1/8-ave, të zhvilluar në Houston.

Pas një pjese të parë pa gola, marokenët zhbllokuan rezultatin në minutën e 50-të me Azzedine Ounahi, i cili realizoi pas asistit të Achraf Hakimit. Mesfushori shënoi sërish në minutën e 82-të, duke vulosur praktikisht kualifikimin.

Në minutën e tetë shtesë, Soufiane Rahimi realizoi golin e tretë pas një kundërsulmi të shpejtë, duke i dhënë fitores përmasat e një triumfi bindës.

Kanadaja kishte nisur më mirë takimin dhe krijoi disa raste të pastra në pjesën e parë, por nuk arriti të mposhtë portierin Bono. Me këtë humbje, skuadra kanadeze bëhet organizatorja e parë e Botërorit 2026 që eliminohet nga turneu.

Për Marokun, ky është një tjetër sukses historik pas ecurisë së jashtëzakonshme në Botërorin 2022. Afrikano-veriorët janë tashmë vetëm një fitore larg përsëritjes së arritjes së tyre më të mirë, kualifikimit në gjysmëfinale.

Në çerekfinale, Maroku do të përballet me fituesin e sfidës mes Francës dhe Paraguajit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu