Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë sërish para mediave mbrëmjen e së martës, duke propozuar një emër të ri për postin e Presidentes së Republikës: Justina Shiroka-Pula.

Kurti i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që deputetët e saj të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë kandidaten e re, ndërsa ka përsëritur ofertën që Vetëvendosje të votojë paraprakisht ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Propozimi vjen vetëm pak orë përpara përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, në një ditë me negociata dhe oferta të njëpasnjëshme mes Vetëvendosjes dhe PDK-së.

Më herët gjatë ditës, Kurti kishte përmendur edhe emra të tjerë për postin e presidentit, ndërsa propozimi më i fundit është Justina Shiroka-Pula.

Ajo është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe ka mbajtur më herët edhe poste qeveritare dhe ka qenë ish deputete e PDK.

Oferta e Kurtit ruan formulën e paraqitur më herët gjatë mbrëmjes: ndryshimet në Ligjin për Specialen të votohen fillimisht dhe më pas të zhvillohet votimi për presidentin.

PDK-ja ka këmbëngulur gjatë gjithë ditës që ligji për Dhomat e Specializuara të miratohet përfundimisht përpara se të arrihet një marrëveshje politike për kreun e shtetit.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se presidenti nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje mes forcave politike.

Koha ndërkohë po ngushtohet, pasi 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe dështimi për të arritur një marrëveshje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu