
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se takimi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe presidenten Vjosa Osmani ishte konstruktiv, por pa një marrëveshje konkrete.
Pas përfundimit të takimit, Kurti tha se diskutimet do të vazhdojnë në javët në vijim, ndërsa theksoi se procesi për formimin e institucioneve të reja kërkon kohë.
“Ishte takimi i parë. I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për të zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, kryesinë e më pas edhe qeverinë në mandatin e ri dhe presidentin apo presidenten. Kemi diskutuar për të gjitha këto, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që do të mund ta ndanim me ju”, u shpreh Kurti para gazetarëve.
Ai e cilësoi procesin e formimit të institucioneve si një “ndërmarrje të madhe e të gjerë”, duke lënë të kuptohet se kontaktet dhe negociatat mes palëve do të vijojnë në ditët në vijim.






