
T’i japësh ushqim sa herë që kërkon nuk do të thotë domosdoshmërisht se po kujdesesh më mirë për macen. Obeziteti te macet nuk është thjesht çështje pamjeje, por një sëmundje që mund të ndikojë seriozisht në shëndetin dhe jetëgjatësinë e tyre.
Sipas një materiali të publikuar nga La Stampa në rubrikën “La Zampa”, jeta moderne e maceve shtëpiake ka krijuar një kontradiktë: ato vazhdojnë të kenë biologjinë dhe instinktet e një grabitqari, ndërsa jetojnë gjithnjë e më shpesh me ushqim vazhdimisht në dispozicion dhe me shumë më pak aktivitet fizik.
Një nga problemet kryesore është se shtimi në peshë ndodh gradualisht dhe pronari mund të mos e dallojë. Edhe disa qindra gramë më shumë mund të kenë rëndësi për një kafshë të vogël. Veterinerët përdorin edhe “Body Condition Score” për të vlerësuar gjendjen trupore: te një mace me peshë të përshtatshme, brinjët duhet të ndihen lehtësisht, beli të dallohet kur shihet nga sipër dhe barku të mos jetë tepër i varur.
Një tjetër faktor është mënyra se si njerëzit shprehin dashurinë. Ushqimi përdoret shpesh si shpërblim apo mënyrë për t’i kushtuar vëmendje maces. Por një mace që mjaullin pranë kuzhinës nuk kërkon domosdoshmërisht të hajë. Mund të kërkojë lojë, vëmendje apo stimulim. Nëse çdo kërkesë merr si përgjigje ushqimin, ai mund të kthehet në zgjidhjen automatike të mërzisë.
Mbipesha rrit rrezikun për probleme serioze, mes tyre diabetin, vështirësitë në lëvizje dhe ngarkesën e shtuar mbi muskujt dhe kyçet. Situata bëhet edhe më e ndërlikuar sepse macet shpesh e fshehin dhimbjen dhe ulja e aktivitetit mund të interpretohet gabimisht thjesht si qetësim me kalimin e moshës.
Zgjidhja nuk është vetëm pakësimi i ushqimit. Macja ka nevojë edhe për një mjedis që e nxit të lëvizë, të ngjitet, të eksplorojë dhe të luajë. Edhe vakti mund të kthehet në aktivitet përmes lodrave që shpërndajnë ushqimin ose vendosjes së sasive të vogla në pika të ndryshme të shtëpisë.
Por kujdes: një mace obeze nuk duhet futur papritur në një dietë drastike. Humbja shumë e shpejtë e peshës mund të shkaktojë lipidozë hepatike, një problem serioz të mëlçisë. Dobësimi duhet të jetë gradual dhe i përcaktuar së bashku me veterinerin.
Në fund, dashuria për macen nuk matet me sa herë i mbushim tasin, por edhe me mundësinë që i japim të vrapojë, kërcejë, eksplorojë dhe të ruajë sjelljet e saj natyrore.
Burimi: La Stampa – La Zampa
View this post on Instagram






