
Reforma e re territoriale vlerëson të ardhurat, kostot administrative dhe aftësinë e njësive vendore për të ofruar shërbime.
Performanca financiare dhe funksionale është një nga kriteret kryesore të draftit të reformës së re administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Sipas dokumentit, vlerësimi bazohet te aftësia e njësive vendore për të gjeneruar të ardhura dhe për t’i kthyer ato në shërbime konkrete për qytetarët. Analiza evidenton gjithashtu mandatet e pafinancuara, kostot e larta administrative dhe mungesën e ekonomive të shkallës në bashkitë e vogla.
Drafti argumenton se një bashki pa burime të mjaftueshme financiare dhe pa kapacitete administrative e ushtron vetëqeverisjen vetëm formalisht, pa qenë në gjendje të përmbushë funksionet e saj.
Propozimi ka nxitur kundërshtime dhe protesta në disa qytete që rrezikojnë të humbin statusin e bashkisë. Dokumenti ndodhet në konsultim publik, ndërsa vendimi përfundimtar për hartën e re do t’i takojë Kuvendit.






