Me 100 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, pas arritjes së konsensusit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në kuadër të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Socialistët hoqën dorë nga disa prej propozimeve të tyre fillestare, mes tyre edhe kërkesa që projektligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian të shqyrtoheshin me procedurë të përshpejtuar brenda një jave.

Po ashtu, PS u tërhoq nga propozimi për përgjysmimin e kohës së diskutimeve në seancë plenare për deputetët, si dhe nga ideja që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare. Socialistët pranuan gjithashtu kërkesën e opozitës që raportimet e institucioneve të zhvillohen në komisionet përkatëse parlamentare dhe jo vetëm në komisionin e posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Një tjetër pikë ku palët ranë dakord ishte forcimi i kontrollit parlamentar. Sipas ndryshimeve të miratuara, Kryetari i Kuvendit do të ndërhyjë në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen deputetëve për kërkesat për informacion. Gjithashtu, kryetarët e komisioneve parlamentare do të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve kur kjo kërkohet nga pakica parlamentare.

Ndryshimet parashikojnë edhe kufizimin e seancave plenare maratonë. Seancat nuk do të zgjasin më përtej orës 22:00, por do të ndërpriten dhe do të rifillojnë ditën pasardhëse.

Palët ranë dakord edhe për ndryshime lidhur me masat disiplinore ndaj deputetëve. Masa e ndëshkimit do të pezullohet në rast se ankimohet në Byronë e Kuvendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu