
Një tërmet i fortë me magnitudë 7.4 ka goditur verilindjen e Japoni, duke shkaktuar alarm për cunami dhe frikë për një tjetër lëkundje edhe më të madhe në ditët në vijim.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua në det, pranë bregdetit të Sanrikut, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Tokio, ndërsa autoritetet lëshuan menjëherë paralajmërim për cunami në disa prefektura, përfshirë Iwate dhe Hokkaido.

Dallgët e para kanë arritur tashmë në bregdet, me një lartësi deri në 0.8 metra në portin Kuji, ndërsa në zona të tjera janë regjistruar valë më të vogla. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se valët e radhës mund të jenë më të fuqishme, deri në 3 metra.
Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, u ka bërë thirrje banorëve të zhvendosen menjëherë në zona më të larta, ndërsa konfirmoi se janë raportuar dëme materiale dhe njerëzore që po verifikohen.
Si pasojë e situatës, disa linja hekurudhore të shpejtësisë së lartë janë pezulluar, ndërsa janë kryer kontrolle në centralet bërthamore, ku deri tani nuk janë raportuar probleme.
Agjencia Meteorologjike Japoneze ka paralajmëruar edhe për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një javë, ndërsa ka ngritur alarmin për mundësinë e një “mega-tërmeti” në veri të vendit.
Kujtohet se Japonia është një nga zonat më aktive sizmike në botë dhe në vitin 2011 u godit nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 9.0 dhe cunami që shkaktoi mbi 20 mijë viktima.






