
Japonia ngriti avionët luftarakë mëngjesin e së martës, pasi dy avionë të dyshuar si rusë hynë në hapësirën e saj ajrore pranë ishullit Okinoshima, në prefekturën Fukuoka.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, tha se incidenti ndodhi pak pas orës 04:00 me orën lokale. Sipas tij, secili avion qëndroi rreth tre minuta në hapësirën ajrore japoneze, ndërsa luftarakët e ngritur për t’i interceptuar u transmetuan paralajmërime.
Tokio e cilësoi ngjarjen shkelje të rëndë të sovranitetit dhe kërcënim për sigurinë kombëtare. Qeveria paraqiti një protestë të fortë diplomatike ndaj Moskës dhe kërkoi masa për të shmangur përsëritjen.
Sipas autoriteteve japoneze, avionët kaluan përmes ngushticës së Tsushimës dhe më pas mes ishullit Yonaguni dhe Tajvanit, përpara se të drejtoheshin drejt Paqësorit.
Edhe Koreja e Jugut raportoi hyrjen e avionëve ushtarakë rusë në zonën e saj të identifikimit të mbrojtjes ajrore, duke ngritur luftarakët. Seuli sqaroi se hapësira e tij ajrore sovrane nuk ishte shkelur. Zona e identifikimit shtrihet përtej saj dhe përdoret për monitorimin e avionëve që afrohen.
Tajvani gjithashtu njoftoi se kishte zbuluar dy avionë ushtarakë rusë pranë ishullit dhe kishte monitoruar lëvizjet e tyre.






