
Në vendimin e saj të publikuar, Gjykata Kushtetuese ka shpallur të pavlefshme procedurën e ndjekur për ngritjen e 11 komisioneve të përhershme parlamentare, të miratuara në shtator të vitit të kaluar.
Sipas arsyetimit të gjykatës, procesi ka qenë i parregullt dhe ka cenuar të drejtat e deputetëve të opozitës, duke kufizuar pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje. Një nga problematikat kryesore lidhet me mënyrën e thirrjes së seancës plenare dhe përdorimin e procedurës së përshpejtuar për miratimin e ndryshimeve.
Gjykata thekson se këto veprime kanë shkelur parimin e demokracisë përfaqësuese dhe lirinë e shprehjes së deputetëve në Kuvend.
“Është cenuar parimi i demokracisë përfaqësuese, i lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve, për shkak të shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes dhe procedurës së ndjekur”, thuhet në vendim.
Megjithatë, për të shmangur një vakum institucional, Gjykata ka vendosur që efektet e këtij vendimi të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh nga publikimi në Fletoren Zyrtare. Kjo i jep kohë Kuvendit të reflektojë dhe të riorganizojë komisionet parlamentare në përputhje me Kushtetutën.
Vendimi konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në raportet mes pushteteve dhe pritet të ketë ndikim në funksionimin e Kuvendit në vijim.






