
Moda e palestrës në 2026 po ndryshon komplet. Veshjet sportive nuk kanë më në qendër vetëm streçet klasike, por kombinime më të lira, më komode dhe shumë më stil shkruan revista e njohur Harper’s Bazaar.
Pantallonat e gjera sportive, fundet sportive, pantallonat e basketbollit, pantallonat e shkurtra të çiklizmit dhe tutat po kthehen në trendin kryesor të palestrës. Ndikimi vjen nga stili i atletikës, baletit dhe basketbollit, duke i kthyer veshjet e palestrës në kombinime që duken si veshje mode të përditshme.
Një nga tendencat më të forta është stili i frymëzuar nga baleti, me bluza të mbështjella, ngjyra pastel dhe çorape sportive, ndërsa shumë vajza po zgjedhin edhe fundet sportive për ecje, palestër apo ushtrime të lehta.

Po ashtu, shumë popullore janë bërë edhe tutat e gjera sportive të kombinuara me kanotiere të ngushta apo xhaketa të lehta sportive. Ideja kryesore është komoditeti, lëvizja dhe një pamje më natyrale, larg kompleteve identike që dominuan vitet e fundit.
Ekspertët e modës thonë se palestra po kthehet gjithnjë e më shumë në një hapësirë ku stili personal ka po aq rëndësi sa edhe vetë stërvitja.




