
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta nga foltorja e Kuvendit, duke e lidhur procesin e integrimit europian me zhvillimet në drejtësi dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.
Sipas tij, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është bllokuar për shkak të mungesës së luftës reale kundër korrupsionit, duke përmendur konkretisht çështjen e Belinda Ballukut dhe atë të AKSHI-t.
Berisha kërkoi heqjen e menjëhershme të imunitetit për zëvendëskryeministren Balluku dhe dërgimin e saj para SPAK, ndërsa ngriti akuza edhe ndaj bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama, të cilën e cilësoi si “arkitekte të kopshtit privat të kryeministrit”.
Ai theksoi se dosjet që lidhen me AKSHI-n dhe zyrtarë të qeverisë nuk janë më vetëm çështje të brendshme, por kanë marrë përmasa ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi mazhorancën se po e mban parlamentin larg problemeve reale të qytetarëve dhe se procesi i integrimit kërkon veprime konkrete në drejtim të sundimit të ligjit dhe ndëshkimit të korrupsionit në nivelet më të larta.






