
Tre subjekte politike shqiptare në Mal të Zi janë bashkuar zyrtarisht në një forcë të vetme politike, duke shpallur krijimin e Forumit Shqiptar në një aktivitet të zhvilluar në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit.
Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë drejtuesit e forcave politike pjesëmarrëse, mes tyre edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.
Përfaqësuesit e Forumit Shqiptar e cilësuan bashkimin si një hap historik për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar se ky vendim është marrë për të garantuar unitetin dhe forcimin e zërit shqiptar në institucionet shtetërore.
“Ne kemi funksionuar deri më tani si koalicione të ndryshme dhe me shumë sukses. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi kemi arritur disa nga rezultatet më historike që kanë pasur shqiptarët në Mal të Zi. Tani kemi vendosur të ndërtojmë një subjekt të vetëm politik për të ardhmen”, deklaroi Gjeloshaj.
Sipas tij, Forumi Shqiptar është subjekti i vetëm politik shqiptar që përfaqëson komunitetin shqiptar në të gjitha zonat ku ai jeton në Mal të Zi dhe synon të forcojë më tej rolin e shqiptarëve në proceset vendimmarrëse.
Gjeloshaj theksoi se bashkimi politik është një mesazh jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi, por për të gjithë shqiptarët në rajon.
“Pa unitet, pa unifikim dhe pa strategji të përbashkët është shumë më e vështirë të realizohen objektivat. Sa më unikë të jemi, aq më i fortë bëhet përfaqësimi ynë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse edhe politika shqiptare në Shqipëri duhet të ndjekë të njëjtin model bashkimi, Gjeloshaj u përgjigj pozitivisht, duke nënvizuar se uniteti politik është një faktor i rëndësishëm për avancimin e proceseve integruese europiane.
Krijimi i Forumit Shqiptar shihet si një nga zhvillimet më të rëndësishme politike për komunitetin shqiptar në Mal të Zi gjatë viteve të fundit, pasi bashkon nën një sigël të vetme forcat kryesore politike shqiptare që deri më tani kanë vepruar në formën e koalicioneve.






