
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi në Kuvend se protesta qytetare ka humbur kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje të dominuar nga një grup i vogël pa legjitimitet publik.
Në fjalën e tij, Balla akuzoi Partinë Demokratike se është bashkuar me protestën pasi, sipas tij, “iu mor sheshi”, ndërsa tha se protesta nuk e dobëson Partinë Socialiste, por opozitën.
“Protesta ia arriti. Juve protesta ju mundi, ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush”, u shpreh ai.
Balla informoi kuvendin se strukturat shqiptare dhe partnerët e NATO-s kanë konstatuar përfshirjen e aktorëve shtetërorë malinj, mediave, organizatave dhe interesave të huaja në protestë. Sipas tij, regjimi iranian ka qenë burim aktiviteti të sponsorizuar në rrjet, ndërsa Shqipëria është bërë pjesë e një lufte hibride dhe digjitale globale.
Ai shtoi se protesta është privatizuar nga një grup i vogël, ku sipas tij janë përfshirë edhe persona me precedentë kriminalë, duke theksuar se kërkesat e qytetarëve duhen dëgjuar, por jo përmes organizatorëve aktualë.
Kreu i Grupit socialist deklaroi gjithashtu se sondazhet e nxjerrin Partinë Demokratike në nivelin më të ulët historik dhe se protesta nuk do ta shpëtojë atë politikisht.
“Partia Demokratike është në nivelin e vet më të ulët historik. Kjo protestë nuk i bën asnjë punë dhe nuk e shpëton Partinë Demokratike”, tha Balla.
Në vijim të fjalës, ai dënoi përdorimin e gjuhës antisemite dhe heqjen e flamurit të Izraelit gjatë protestës, duke i cilësuar si veprime të papranueshme për Shqipërinë dhe traditën e saj. Sipas Ballës, protesta ka ndryshuar identitet dhe organizatorët e saj nuk kanë transparencë apo legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët.






