Në Kuvend nuk munguan ironitë dhe batutat gjatë diskutimeve për ndryshimet në rregullore, ku kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj kolegut të opozitës Gazment Bardhi lidhur me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për mungesë marrëveshjesh politike.

“Zoti Bardhi, sot është një moment shumë i mirë dhe nuk doja të bija në kurthin e debateve tona të përditshme, por vesi vdes me shpirtin dhe nuk po i rezistoj dot përgjigjes së akuzave që bëtë ju ndaj kryetarit tim, Edi Ramës, se nuk bën marrëveshje, se nuk i qëndron marrëveshjeve”, u shpreh Balla.

Më tej ai ironizoi Bardhin duke thënë: “Po mos bënte marrëveshje Edi Rama, ti s’do ishe bërë ministër. Kështu që fakti që ke qenë ministër në qeverinë e kryeministrit Rama është një element i bukur në CV-në tuaj personale”.

Balla theksoi se mazhoranca është e gatshme për dialog me opozitën, duke nënvizuar se “sa herë të ulemi dhe të flasim, ne do prodhojmë marrëveshje dhe lajme të mira”.

Sipas tij, miratimi me konsensus i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit ishte një fitore për parlamentarizmin dhe jo për një palë politike. Ai kërkoi që rregullorja të zbatohet me korrektësi nga të gjithë deputetët dhe institucionet parlamentare.

Në fjalën e tij, Balla vlerësoi edhe punën e komisioneve parlamentare gjatë muajve të fundit, duke veçuar Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme për miratimin e rezolutës së fundit, si dhe kërkoi angazhim maksimal në procesin e integrimit europian të Shqipërisë gjatë 18 muajve të ardhshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu