
Air France dhe Airbus janë shpallur fajtorë për vrasje nga pakujdesia nga Gjykata e Apelit në Paris lidhur me rrëzimin tragjik të fluturimit AF447 në vitin 2009, ku humbën jetën 228 persona.
Gjykata vendosi se kompania ajrore dhe prodhuesi i avionëve mbajnë “përgjegjësi të plotë dhe të vetme” për aksidentin, duke përmbysur vendimin e vitit 2023 që i kishte shpallur të pafajshëm. Të dy kompanitë kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe pritet të apelojnë vendimin.
Fluturimi AF447 i Air France ishte nisur nga Rio de Janeiro drejt Paris kur u përfshi nga një stuhi mbi Oqeanin Atlantik. Avioni humbi kontrollin dhe ra në det nga një lartësi prej rreth 11,500 metrash, duke vrarë të gjithë personat në bord.
Tragjedia konsiderohet aksidenti më vdekjeprurës në historinë e aviacionit francez. Mes viktimave kishte shtetas nga 33 vende të ndryshme, përfshirë francezë, brazilianë, gjermanë, britanikë dhe irlandezë.
Hetimet franceze të vitit 2012 zbuluan se aksidenti u shkaktua nga kombinimi i një defekti teknik në sensorët e shpejtësisë dhe reagimi i gabuar i pilotëve ndaj situatës së krijuar. Pas tragjedisë, procedurat e trajnimit për pilotët u ndryshuan dhe sensorët problematikë u zëvendësuan.
Familjarët e viktimave e përshëndetën vendimin e gjykatës pas një beteje të gjatë ligjore 17-vjeçare. Megjithatë, disa prej tyre kritikuan gjobën maksimale prej 225 mijë eurosh për secilën kompani, duke e cilësuar simbolike për përmasat e tragjedisë.



