Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur një sërë masash ndaj operatorëve celularë One Albania dhe Vodafone Albania, pas përfundimit të një hetimi të thelluar në tregun e telefonisë celulare. Sipas vendimit, brenda 90 ditëve kompanitë duhet të ofrojnë paketa më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18 deri në 23 vjeç.

Hetimi evidentoi rritje të ngjashme të çmimeve, paketa pothuajse identike mes dy operatorëve, reduktim të ofertave ekonomike dhe mungesë dokumentacioni për të justifikuar ndryshimet tarifore.

Vendimi parashikon gjithashtu që paketat më të lira të jenë të disponueshme edhe në dyqanet fizike dhe jo vetëm përmes aplikacioneve ose kanaleve online.

Një tjetër detyrim është që abonentët, pas përfundimit të kontratës, të kenë të drejtën të kalojnë në një paketë më ekonomike pa penalitete apo pengesa. Operatorët do të duhet gjithashtu të njoftojnë çdo klient të paktën 30 ditë përpara për çdo ndryshim të çmimeve, përmbajtjes ose vlefshmërisë së paketave.

Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar që çdo rritje çmimi të mbështetet me analiza të dokumentuara të kostove, të cilat kompanitë duhet t’i ruajnë për pesë vjet. Ndërkohë, kontratat standarde do t’i nënshtrohen vlerësimit paraprak për të shmangur klauzolat e padrejta, ndërsa procedurat për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të jenë të qarta dhe transparente.

Zbatimi i të gjitha masave do të monitorohet për një vit. Në rast të mosrespektimit të detyrimeve, One Albania dhe Vodafone Albania do të përballen me sanksionet e parashikuara nga ligji.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu