Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë goditur një rast shantazhi dhe gjobitje në Durrës.
Me urdhër të SPAK-ut, AMP ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Kryekomisar Gazmir Preçi, me detyrë Shef Sektori kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Kryekomisari dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e SPAK-ut, u siguruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes një shtetasi, posedues i një lokali në qytetin e Durrësit.
Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumenta që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë.
Hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.