Franca dënoi ashpër të premten ato që ajo i quajti veprimet e njëanshme të autoriteteve të Prishtinës në veri të Kosovës, të cilat ushtrojë ndikim në jetën e përditshme të komunitetit serb.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp, ministria e Jashtme franceze tha se këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ndërsa kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm, që do të përshkallëzonte më tej tensionet.Autoritetet në Kosovë mbyllën të hënën zyrat e postës së Serbisë në veri dhe filluan të enjten testimin e qëndrueshmërisë së urës kryesore mbi Ibër që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, si përgatitje për hapjen e saj për lëvizjen e makinave, mes kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.
Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës do të ishte simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.
Por synimet për hapjen e urës kundërshtohen nga pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët u hodhën në protesta dhe nxitën kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Blloku paralajmëroi ndërkaq se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që janë në fuqi që nga qershori i vitit të kaluar, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara, në veriun e banuar me shumicë serbe.Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që këto çështje të trajtohen dhe zgjidhen në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, një proces i ngecur për një kohë të gjatë./VOA