Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë prezantimit të projektligjit “Për Policinë e Shtetit” tha se risi e nismës është mandati i drejtuesve të Policisë, nga niveli vendor deri tek Drejtori i Përgjithshëm.
“Do të kenë një mandat 3 apo 4 vjeçar, e në përfundim të tij, nëse nuk ke bërë detyrën do lëvizësh. Ka një sistem performance, por jo një gjë, që lëviz çdo 6 muaj, çdo një vit”, tha Balla.
Në përgjigje të interesit të deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ministri i Brendshëm deklaroi se brenda Policisë së Shtetit, numri më i madh i punonjësve punojnë me ndershmëri e angazhim.
“Pyll pa derra nuk ka, po mos harroni asnjëherë se është po kjo Polici Shteti, që përballon në mënyrë të suksesshme sfida të mëdha sikur është fakti që një vend si i yni arrin të presë 10 milion turistë në 2023, edhe më shumë këtë vit. Shqiptari mikun në shtëpi të vetë e ka Zot, dhe mikun e trajton si Zot në shtëpi të vetë. Kjo që ju paska shqetësuar ju, nuk është shpikja jonë, e kemi parë në shumë vende dhe po ashtu meqenëse prekët këtë pjesën e perceptimit, e njëjta organizatë që bënte perceptimin e besueshmërisë së Policisë së Shtetit në vitin 2012 ku vlerësonte se 37% e shqiptarëve kanë besim në Policinë e Shtetit, e njëjta organizatë sot ndërkombëtare me financim ndërkombëtar, thotë është 72%, dy herë më shumë besojnë shqiptarët Policinë e Shtetit, sesa përpara dhjetë vitesh kur Flamuri tuaj drejtonte Ministrinë e Brendshme”, replikoi kreu i Ministrisë së Brendshme me opozitarët në Kuvend.
Përpara se të miratonin edhe nen për nen draftin, Balla iu përgjigj shqetësimit se punonjës policie janë të lidhur me paligjshmërinë.
“Të kesh 69 punonjës policie në hetim për 4 vjet mua më duket pak, se t’ju them të drejtën, vetë gjatë këtij viti kam nxitur AMP dhe janë 264 raste për një vit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore; sepse po të marrësh numrin e magjistratëve, prokurorëve dhe gjyqtarë të proceduar penalisht është shumë më i madh. Kështu që e vlerësoj bashkëpunimin me SPAK-un, e shoh jetik për vetëpastrimin e policisë, bashkëpunim të shkëlqyer në funksion të këtij objektivi të përbashkët që është pastrimi i Policisë dhe përgatitja e Policisë së Shtetit si polici e një vendi anëtar, po meqë jam këtu tek vendet anëtare, “Encro”, “Sky” kanë pasur edhe punonjësit e Policisë në vendet anëtare të BE-së”, informoi Balla deputetët.