
Dy ngjarje të dyshuara me lëndë plasëse janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Fier dhe Ksamil.
Në Fier, rreth orës 04:15, një 44-vjeçar me inicialet R. M. ka njoftuar policinë se i ishte dëmtuar fasada e lokalit të tij, dyshohet si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde plasëse.
Ndërkohë, rreth orës 02:45, në Ksamil, dyshohet se një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur në oborrin e banesës së një 76-vjeçari me inicialet I. A., duke shkaktuar dëme të vogla materiale.
Në njoftimet paraprake të policisë nuk raportohet për persona të lënduar.
Grupet hetimore, nën drejtimin e prokurorive përkatëse, po punojnë për zbardhjen e rrethanave të dy ngjarjeve dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Deri më tani nuk ka të dhëna për motivet apo ndonjë lidhje të mundshme mes dy rasteve.






