Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili reagoi sot në Kuvend duke e akuzuar opozitën për nxitjen e dhunës në protesta, instrumentalizimin e të miturve dhe përhapjen e të pavërtetave për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ismaili deklaroi se dhuna nuk mund të trajtohet me standarde të dyfishta, duke denoncuar atë që e cilësoi si një dhunë të koordinuar në sheshe dhe në rrjetet sociale, në funksion të interesave për pushtet.

“Dhuna ka vetëm një perceptim, ka vetëm një emër, që është dhunë. Nuk mundet dot që të justifikohet dhuna as në sheshe, as online”, u shpreh ministrja.

Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës për të miturit e lënduar gjatë protestave, Ismaili vuri në pikëpyetje përgjegjësinë njerëzore dhe institucionale të organizatorëve.

“Po si mundet dot të vini me krenari këtu të lexoni një listë të tërë emrash minorenësh? Pak njerëzillëk nuk e keni?”, deklaroi ajo.

Ministrja denoncoi dhe pengimin e studentëve që kanë zgjedhur të vijojnë procesin mësimor në universitete, duke mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë.

“Ku është parë që huliganë protestues të shkojnë dhe të nxjerrin me dhunë studentë nga auditoret vetëm sepse nuk e pranokan dot që studenti shkon në universitet për të mësuar?”, tha Ismaili.

Duke u ndalur te projektbuxheti i vitit 2027, ministrja kundërshtoi pretendimet e opozitës për gjendjen ekonomike të vendit, duke evidentuar buxhetin prej 10 miliardë eurosh dhe mbështetjen e shtuar për familjet dhe studentët.

Ismaili hodhi poshtë edhe pretendimet e opozitës për bllokimin e negociatave me Bashkimin Europian, duke paralajmëruar mbylljen e përkohshme të më shumë se tre kapitujve të tjerë deri më 15 dhjetor.

“Po si mundet të flisni ju për bllokim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur deri në 15 dhjetor ne do të mbyllim disa kapituj të tjerë që nuk janë as një, as dy, as tre, por më shumë?”, deklaroi ministrja.

Në përfundim të fjalës së saj, Ismaili lëshoi edhe akuzën më të fortë ndaj opozitës:

“Në grahmën e fundit është një opozitë e cila ka humbur zgjedhje të lira e të ndershme dhe që për karriget e veta të munguara është gati të nxjerrë si mish për top edhe të miturit, ndër të tjera, dhe që është gati të vijojë të tentojë të bëjë të ardhmen e Shqipërisë kurban për gjithë dështimet madhështore që ka patur ndër vite.”

 

Fjala e Plotë
Faleminderit, e nderuar drejtuese e seancës, të nderuar kolegë. Në fakt, sot nuk kisha përgatitur një fjalë. Nuk do të flisja, duke parë edhe që lista e kolegëve që do të mbulonin me diskutim çështjet e rendit të ditës sot ishte e gjatë. Por duke dëgjuar opozitën të thotë në rastin më të mirë të pavërteta, në rastin më të keq, gënjeshtra, sikurse e ka zakon të thotë, nuk mundesha dot që të rrija indiferente. Se mund të pranohet diskutimi me 2 standarde për një sërë çështjesh a temash, sikurse jemi mësuar rëndom tani më të dëgjojmë, por nuk mundet dot të diskutohet me 2 standarde për dhunën. Dhuna ka vetëm një perceptim, ka vetëm një emër, që është dhunë. Nuk mundet dot që të justifikohet dhuna as në sheshe, as online. Nuk mund të justifikohet dot dhuna e të ashtuquajturve protestues, se ndoshta, ndoshta nuk do të mund të konsiderohen të tillë për sa kohë gjithë veprimet e tyre në sheshe dhe online janë kryekëput dhunë. është dhunë në sheshe, është dhunë online.
Është një dhunë e koordinuar nga më shumë se sa një person, nga më shumë se sa një grup interesi, ku interesi i vetëm i tyre lidhet me pushtet të munguar, ose pushtet të humbur, ose pushtet të dëshiruar. Dhunë në sheshe kundër institucioneve, kundër bizneseve, kundër qytetarëve, kundër vetë protestuesve të tjerë që mendojnë ndryshe nga një protestues tjetër. Dhunë kundër policisë së shtetit. Po edhe dhunë kundër ambulancave kemi parë ne në atë shesh. Tani, unë dëgjova këtu edhe të thuhej se, me një krenari, një sërë personash, individësh të lënduar ishin minorenë. Po si mundet dot të vini me krenari këtu të lexoni një listë të tërë emrash minorenësh? Pak njerëzillëk nuk e keni? Pak njerëzillëk në anën njerëzore a pak përgjegjësi institucionale për të bërë minimumin e detyrës si një nënë, si një baba, si një qytetar, pastaj për të kaluar si deputet apo kryetar grupesh e partish, për të bërë thirrje që minimalisht minorenët të ishin në klasa e në shkolla? Minimalisht minorenët të ishin në ato klasa dhe shkolla tani më të reja ose të rikonstruktuara, ku përfitojnë tekset falas, ku përfitojnë siguri të shtuar në institucionet shkollore falë policit të sigurisë dhe kamerave të instaluara, ku i garantohet transporti falas edhe mësuesve, edhe nxënësve, deri në 50 km. Po, në fakt, është e drejtë që u ngrit këtu pyetja: a jeni prindër ju? Po, po, janë prindër. Dhe në fakt, në këto ditë unë kam dëgjuar shumë prindër që të ngresh një shqetësim: të garantohet nga policia e shtetit rendi, siguria dhe qetësia te studentët në universitete, të cilët kanë zgjedhur që në këto ditë protestash të shkojnë dhe të mësojnë në auditore. Ku është parë që huliganë protestues të shkojnë dhe të nxjerrin me dhunë studentë nga auditoret vetëm sepse nuk e pranokan dot që studenti shkon në universitet për të mësuar? Ku është parë që në institucionet shtetërore arsimore të mos i garantohet rendi dhe siguria nga policia cilitdo student që ka vendosur të mos protestojë? Që ka vendosur të mbështesë këtë shtet duke qenë një student që nesër do të jetë një profesionist. Dhe patjetër që mund të ketë gjëra që mund të bëhen më mirë. Patjetër. Prandaj sot ne vijmë dhe diskutojmë për një buxhet i cili, ndryshe nga ç’thuhet këtu se ky shtet qenkërka në ditën më të keqe të vet, kur sot flasim për buxhetin historik të tij në 10 miliardë euro. Po si mund të jetë një shtet i falimentuar, a në ngërç, a ku ta di unë se ç’epitete vendosni ju, kur sot ne diskutojmë krenarisht një buxhet i cili është historik për shtetin shqiptar? Kur sot ne flasim për mbështetje të familjes shqiptare në të gjithë aspektet, kur ne sot flasim për studentë të cilët zgjedhin të jenë në auditore sepse kushtet në universitete janë më të mira, laboratorët shtohen si zë nga buxheti në buxhet, kur mbështetja për studentët që zgjedhin të studiojnë në degë ku profesionet janë në risk marrin për muaj pagën minimale prej 500 mijë lekë të vjetra, ku studenti ekselent mbështetet muaj për muaj me 10 mijë lekë të reja, ku sot flasim për një mbështetje të shtuar për studentët që vijnë nga familje në nevojë, ku deri më sot janë mbështetur me 10 mijë lekë të reja çdo muaj dhe nga viti 2027 do të mbështetet me një vlerë të shtuar prej 15 mijë lekësh për ta çuar në 25 mijë lekë. Tani, policia e shtetit unë mendoj se ka bërë pikërisht atë që duhet të bëjë: të garantojë rend, siguri edhe qetësi.
Është edhe e dëgjuar shpesh një lloj tentative, po themi, se shqiptarët kanë sy e veshë edhe janë më inteligjentë sesa ju dëshironi t’i konsideroni, për bllokim të negociatave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Dhe në ka një deklaratë më qesharake sesa këto tentativat tuaja të dështuara për të frikësuar qytetarët se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian na qenkërka bllokuar mbi ç’baza e mbi të cilat evidenca i bëni këto deklarata nuk di ta them. Kur sot flasim për 4 kapituj të mbyllur, flasim për një progres raport që vlerëson edhe luftën kundër korrupsionit që Shqipëria ka bërë dhe vijon të bëjë, vlerëson konsensusin politik në disa aspekte dhe vlerëson pozitivisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Po si mundet të flisni ju për bllokim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur deri në 15 dhjetor ne do të mbyllim disa kapituj të tjerë që nuk janë as një, as dy, as tre, por më shumë? Unë do ta mbyll në fakt me një citim që u fol këtu për grahmat. Është në grahmën e fundit. Po, po. Në grahmën e fundit është një opozitë e cila ka humbur zgjedhje të lira e të ndershme dhe që për karriget e veta të munguara është gati të nxjerrë si mish për top edhe të miturit, ndër të tjera, dhe që është gati të vijojë të tentojë të bëjë të ardhmen e Shqipërisë kurban për gjithë dështimet madhështore që ka patur ndër vite. Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu