Kuvendi është mbledhur për shqyrtimin dhe votimin nen për nen e në tërësi të projektbuxhetit 2027 dhe paketës fiskale. Në një seancë që nisi me përplasje politike, opozita ka paraqitur 40 amendamente, duke kërkuar ndryshime në taksa, paga, pensione dhe financimin e shërbimeve publike.

Projektbuxheti parashikon për herë të parë shpenzime mbi 10 miliardë euro. Ai u miratua në parim më 18 nëntor, pa votat e opozitës.

Partia Demokratike ka depozituar 28 amendamente. Mes kërkesave janë ruajtja e normës standarde të TVSH-së në 20%, ulja në 6% për ujin dhe energjinë, rritja e pagave në arsim e shëndetësi dhe dyfishimi i ndihmës ekonomike. PD kërkon gjithashtu anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve dhe pezullimin e pagesave për koncesionet e financuara nga buxheti.

Partia e Lirisë ka paraqitur 12 amendamente, të përqendruara te rinia, prodhimi vendas, siguria dhe mbështetja sociale. Propozimet përfshijnë fonde shtesë për arsimin, bujqësinë dhe Onkologjikun, si dhe rritje pagash për zjarrfikësit e Policinë e Burgjeve.

Në rendin e ditës janë edhe dy aktet normative për tubimet dhe dëmshpërblimin e subjekteve të prekura nga dhuna gjatë protestave.

Debati u shoqërua me akuza mes Taulant Ballës dhe Sali Berishës. Kreu i grupit socialist akuzoi PD-në për nxitje të dhunës, ndërsa Berisha iu përgjigj me akuza personale dhe qëndroi në foltore pas përfundimit të kohës së fjalës. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërhyri duke i kujtuar se përcaktimi i përgjegjësisë penale u takon organeve të drejtësisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu