
Bashkimi Europian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia përparim konkret dhe pa vonesa në normalizimin e marrëdhënieve, duke e kushtëzuar mbështetjen financiare në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor me rezultate të matshme në procesin e dialogut.
Mesazhi është përfshirë në deklaratën përfundimtare prej 20 pikash të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, që u zhvillua këtë të mërkurë në Bruksel.
Në pikën e gjashtë të dokumentit, liderët europianë theksojnë se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të pengojë rrugëtimin europian të të dyja vendeve.
“Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura”, thuhet në deklaratë.
BE-ja riafirmon mbështetjen e plotë për dialogun dhe nënvizon se përfitimi nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv dhe rezultatet konkrete në normalizimin e marrëdhënieve.
Zgjerimi i BE-së, investim gjeostrategjik
Në deklaratën përfundimtare, Bashkimi Europian rikonfirmon angazhimin për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Europës.
Liderët europianë mirëpresin përparimin e arritur nga vendet e rajonit që prej samitit të fundit, por kërkojnë përshpejtimin e reformave, veçanërisht në fushat themelore të procesit të anëtarësimit.
Dokumenti thekson se përshpejtimi i integrimit duhet të mbështetet në reforma të besueshme, kushte të drejta dhe rigoroze, si dhe në parimin e meritës individuale të secilit vend.
Paralelisht, edhe vetë Bashkimi Europian duhet të vazhdojë përgatitjet dhe reformat e brendshme për të mundësuar zgjerimin.
BE-ja kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit të gjenocidit
Një pjesë e deklaratës i kushtohet respektimit të vlerave demokratike, të drejtës ndërkombëtare, pajtimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore europiane”, thuhet në dokument.
BE-ja u kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase për krimet e luftës, si dhe të promovojnë një kulturë respekti dhe solidariteti ndaj të gjitha viktimave.
Në deklaratë nënvizohet gjithashtu rëndësia e lirisë së shprehjes, pavarësisë dhe pluralizmit të mediave, barazisë gjinore, rolit të shoqërisë civile dhe garantimit të të drejtave të pakicave.






