Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas përjashtimit të deputetes Elisa Spiropali, duke shprehur keqardhje për vendimin, por duke argumentuar se ai është marrë në përputhje me statutin e partisë dhe rregulloren e grupit parlamentar.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së deputetëve socialistë, Balla refuzoi të tregonte konkretisht arsyet e përjashtimit të ish-kryetares së Kuvendit dhe ish-ministres së Jashtme.

“Çështjet e diskutimit të brendshëm nuk janë objekt diskutimi me mediat. Pas 9 vitesh më vjen keq që duhet të shkonim në këtë vendimmarrje. Kjo legjislaturë ka edhe 30 muaj deri në fund. Në rastin në fjalë kemi një vendim i cili është fjalë për fjalë sipas statutit dhe rregullores”, deklaroi Balla.

Ai paralajmëroi se dokumentacioni përkatës do t’i përcillet Kuvendit, ndërsa solli si shembull ekzistencën e rregullave të ngjashme edhe në Bundestagun gjerman.

I pyetur nëse do të vazhdojë të komunikojë me Spiropalin pas përjashtimit, Balla u përgjigj:

“Padyshim, unë komunikoj me të gjithë deputetët e Kuvendit.”

Gjatë votimit për përjashtimin e Spiropalit, të vetmit deputetë socialistë që abstenuan ishin Erion Braçe dhe Bledi Çuçi. Në mbledhje nuk ishin të pranishëm as Elisa Spiropali dhe as kryeministri Edi Rama.

Përjashtimi nga Grupi Parlamentar pason largimin e Spiropalit nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste, së bashku me ish-deputetin Plarent Ndreca.

Spiropali ruan mandatin parlamentar dhe do të vijojë aktivitetin e saj në Kuvend si deputete e pavarur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu