Katër ditë pas një tentative për rrëmbim në aksin rrugor Kukës–Krumë, policia ka arrestuar dy personat e shpallur në kërkim, xhaxha dhe nip, banues në fshatin Gjinaj të Hasit.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit S. J., 45 vjeç, dhe S. J., 24 vjeç, të cilët dyshohet se më 20 nëntor janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin V. D.

Disa orë pas konfliktit, të dy dyshohet se i kanë prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte personi me të cilin ishin konfliktuar, duke tentuar ta merrnin me forcë.

Ata dyshohet se e kanë goditur me sende të forta dhe i kanë dëmtuar automjetin, pavarësisht pranisë së një punonjësi policie që shoqëronte personin e sulmuar.

Efektivi ka ndërhyrë për të penguar përshkallëzimin e konfliktit dhe ka kërkuar ndihmën e kolegëve, ndërsa dy autorët e dyshuar janë larguar nga vendngjarja.

Pas katër ditësh në kërkim, xhaxhai dhe nipi janë kapur nga shërbimet e Policisë së Kukësit.

Ata akuzohen për katër vepra penale: heqje të paligjshme të lirisë, mbetur në tentativë, mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë, dëmtime të tjera me dashje dhe shkatërrim të pronës me mjete të tjera.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu