
Sipas mediave gjermane NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung, raportet e inteligjencës mbi mundësinë e lëshimit të satelitit brenda 60 ditëve të ardhshme janë shpërndarë këtë muaj mes vendeve anëtare të NATO-s.
Sateliti rus, i identifikuar me emrin “Sputnik-S”, dyshohet se mund të përdoret për të dëmtuar ose shkatërruar satelitë të tjerë, përfshirë ata që mundësojnë komunikimet dhe vëzhgimin e Tokës.
Megjithatë, informacioni nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe nuk është bërë e ditur se cili shtet ka hartuar raportet e inteligjencës.
Gjatë një konference për shtyp në Berlin, Rutte deklaroi se Aleanca disponon disa mundësi kundërpërgjigjeje.
“Ne do të sigurohemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në hapësirë”, u shpreh ai.
Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi raportimet, por deklaroi se ato tregojnë shkallën e përshkallëzimit që Rusia duket e gatshme të ndërmarrë.
Drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, e cilësoi vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë si skenarin më të frikshëm të mundshëm.
Moska, nga ana tjetër, ka hedhur poshtë pretendimet. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se raportimet e mbështetura në burime anonime vështirë se mund të merren seriozisht. Ambasada ruse në Berlin i cilësoi akuzat të pabazuara dhe pjesë të një fushate propagandistike.
Nuk është hera e parë që Rusia akuzohet për zhvillimin e armëve bërthamore në hapësirë. Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara ngritën dyshime për një sistem rus antisatelitor të pajisur me kokë bërthamore.
Në atë kohë, presidenti Vladimir Putin i mohoi akuzat, duke deklaruar se Rusia ishte kategorikisht kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë.
Traktati i Hapësirës Kozmike i vitit 1967, ku Rusia është palë, ndalon vendosjen në orbitë të armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë.
Megjithatë, konkurrenca ushtarake në hapësirë po intensifikohet. Shtetet e Bashkuara dhe Kina gjithashtu kanë zhvilluar ose planifikojnë zhvillimin e sistemeve të tjera të armatimit hapësinor.
Në shtator, sekretari amerikan i Forcave Ajrore, Troy Meink, konfirmoi se SHBA-ja kishte vendosur në orbitë sisteme armësh për kontrollin e hapësirës, pa dhënë detaje mbi natyrën e tyre.
Shkatërrimi ose dëmtimi i satelitëve mund të ketë pasoja të rënda jo vetëm për komunikimet ushtarake, por edhe për navigimin, telekomunikacionin dhe infrastrukturën civile.






