SPAK ka përfunduar hetimet për ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe do të dorëzojë sot në gjykatë kërkesën për gjykimin e saj. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët.

Sipas të dhënave të para të bëra publike në këtë takim, dosja përfshin, krahas Ballukut, edhe 25 persona dhe dy shoqëri tregtare, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara gjatë hetimeve arrin në 1 milion e 800 mijë euro.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, bëri të ditur se akuzat e përmendura përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave, të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Nga informacioni paraprak nuk është ende e qartë se si ndahen këto akuza mes personave të përfshirë në dosje.

Në takimin me përfaqësuesit e medias, kreu i SPAK, Klodian Braho, shoqërohej nga dy prokurorët që kanë ndjekur hetimet, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Braho deklaroi se për këtë procedim penal janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për zbardhjen e çështjes.

Ai falënderoi ekipin hetimor për punën e kryer dhe theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me median.

“Vlerësojmë që kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, u shpreh kreu i Prokurorisë së Posaçme.

Mbyllja e hetimeve dhe paraqitja e kërkesës për gjykim shënojnë kalimin e dosjes në një fazë të re procedurale. Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë dhe do të vendosë për vijimin e procesit gjyqësor.

Personat e përfshirë në këtë procedim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Hetimet e SPAK përfshijnë procedura të prokurimit publik, mes tyre tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës. Në akuzat përfundimtare të komunikuara më 20 tetor përfshihen nëntë raste të dyshuara të shkeljes së barazisë në tendera, akuza për korrupsion pasiv, dy raste të fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë dhe pastrim parash të lidhur me dy pasuri të paluajtshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu