
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Berisha deklaroi se opozita duhet të paraqesë një platformë të përbashkët për reformën zgjedhore, edhe pse, sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk do të pranojë ndryshime që mund të rrezikojnë pushtetin e tij.
“Ftojmë edhe njëherë të gjitha forcat politike që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, ftojmë të gjithë faktorët të bashkohemi për të paraqitur së bashku një kuadër ligjor demokratik”, deklaroi Berisha.
Sipas kryedemokratit, një kuadër i tillë ligjor, i zbatuar në kushtet e një qeverie teknike apo kujdestare, do t’u jepte mundësi qytetarëve të votonin lirisht, duke garantuar barazinë e votës dhe të drejtën për të zgjedhur kandidatët që preferojnë.
Berisha renditi katër çështje për të cilat kërkon një qëndrim të përbashkët të opozitës: listat e hapura, pragun zgjedhor të pranueshëm nga të gjitha palët, garantimin e koalicioneve dhe ashpërsimin e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit zgjedhor.
“Listat e hapura janë një përgjegjësi për të gjithë para të gjithë qytetarëve”, theksoi ai, duke shtuar se shqiptarët presin që forcat opozitare të jenë të bashkuara për këto ndryshime.
I pyetur nga gazetari Arsen Rusta i MCN TV se si do të veprojë opozita nëse shkeljet zgjedhore përsëriten përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit, Berisha u shpreh i bindur se mazhoranca do të përdorë sërish të njëjtat metoda, madje në përmasa më të mëdha.
“Ai jo mund t’i bëjë këto, por ju garantoj se ai do t’i bëjë këto të paktën dhe dy herë më shumë”, deklaroi Berisha, duke akuzuar Ramën se është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ruajtur pushtetin.
Kryetari i PD-së tha se opozita ka përballuar presione të shumta dhe se do të vijojë të shfrytëzojë çdo hapësirë për të kundërshtuar qeverinë.
Ai theksoi se nuk ka iluzione për gatishmërinë e kryeministrit për të pranuar ndryshime thelbësore në reformën zgjedhore, por këmbënguli se opozita ka detyrimin t’u paraqesë qytetarëve një alternativë të përbashkët.
Në përfundim, Berisha ashpërsoi retorikën politike, duke deklaruar se ndryshimi i pushtetit nuk mund të arrihet vetëm përmes votës në kushtet që ai i cilëson diktaturë.
“Diktatura me vota nuk ikën. Ata të cilët besojnë se diktatura mund të largohet me vota, ata mashtrojnë veten dhe mashtrojnë të tjerët”, u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi se po afrohet koha e ndryshimit politik, duke deklaruar se Edi Rama “kohërat i ka të shkurtuara”.
Deklarata vjen në vijim të propozimeve që Partia Demokratike paraqiti më 13 nëntor për reformën zgjedhore. Mes tyre janë sistemi proporcional kombëtar me lista plotësisht të hapura, rishikimi i pragut zgjedhor, barazia mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së dhe mundësia e votimit të detyrueshëm.






