Në mesin e presioneve nga Perëndimi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe zbutjen e marrëdhënieve me Serbinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i kthen sytë nga Turqia.
Në Forumin e parë ekonomik të bizneseve mes dy vendeve, ai e përshkroi Turqinë si një shtet të çmuar mik e theksoi se marrëdhëniet dypalëshe i kanë rrënjët tek respekti reciprok.
“Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke treguar marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve. Ky është një testament i angazhimit të Turqisë”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, Kurti nënvizoi se janë dy fusha ku Kosova do që t’i fuqizojë raportet mes dy shteteve, të cilat i përshkroi si “të shkëlqyera”: Siguria e mbrojtja dhe zhvillimi ekonomik. Ai përmendi dyfishimin e investimeve ekonomike, faktin që Kosova ka borxhin publik më të ulët dhe e ka cilësuar vendin të pozicionuar në “zemër të Ballkanit si udhëkryq mes Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut”.
Tre ditë më parë, Kurti ishte në Ankara ku u takua me presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve. Se sa dronë u blenë, kjo asokohe, nuk u bë e qartë