
Sipas raportit Wellcome Global Monitor 2026, Shqipëria renditet në vendin e 133-të nga 140 shtete të përfshira në studim, duke lënë pas shumë pak vende në botë.
Të dhënat bazohen në një anketim të realizuar gjatë vitit 2025 me mbi 140 mijë pjesëmarrës të moshës 15 vjeç e lart.
Shqipëria pas Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi
Rezultatet tregojnë se shqiptarët shfaqin një nivel dukshëm më të ulët besimi të lartë te shkenca sesa qytetarët e vendeve fqinje.
Në Malin e Zi, 22.7% e qytetarëve deklarojnë se kanë shumë besim te shkenca, në Serbi 19.1%, ndërsa në Kosovë 18.9%.
Në Shqipëri kjo përqindje është vetëm 10.8%, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet edhe më poshtë, me 8.2%.
Kjo e vendos Shqipërinë ndër vendet me rezultatet më të dobëta jo vetëm në Europë, por edhe në shkallë botërore.
Paradoksi: Vendet më të pasura nuk janë gjithmonë më besueset ndaj shkencës
Studimi evidenton se niveli i zhvillimit ekonomik dhe cilësia e arsimit nuk e përcaktojnë domosdoshmërisht besimin e qytetarëve te shkenca.
Finlanda, Gjermania dhe Suedia renditen mes dhjetë vendeve të para, por në krye të klasifikimit gjenden edhe shtete me ekonomi më pak të zhvilluara.
Uzbekistani renditet i treti në botë, me 63.8% të qytetarëve që shprehin besim shumë të lartë te shkenca, ndërsa Taxhikistani është i katërti, me 60.7%.
Studiuesit nuk kanë gjetur prova bindëse për një lidhje të qëndrueshme mes njohurive shkencore të popullsisë dhe besimit te shkenca.
Pas pandemisë, bota po humbet besimin te shkenca
Problemi nuk kufizohet vetëm në Shqipëri.
Në vitin 2020, rreth 80% e të anketuarve në nivel global deklaronin se kishin të paktën njëfarë besimi te shkenca. Në vitin 2025, kjo përqindje zbriti në 72%.
Ndërkohë, numri i personave që shprehin pak ose aspak besim u rrit nga 13% në 19%.
Edhe besimi shumë i lartë te shkencëtarët ka pësuar rënie të ndjeshme, nga 43% në vitin 2020 në 32% në vitin 2025.
Varfëria dhe mosbesimi tek institucionet ndikojnë në qëndrimet ndaj shkencës
Një nga gjetjet më domethënëse të studimit lidhet me gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Mes personave që deklarojnë se jetojnë rehat me të ardhurat e tyre, 39% shprehin besim shumë të lartë te shkenca.
Por mes atyre që përballen me vështirësi financiare, kjo përqindje bie në vetëm 20%.
Studimi evidenton gjithashtu nivele më të ulëta besimi te shkenca mes qytetarëve që kanë më pak besim tek institucionet publike dhe perceptojnë nivele më të larta korrupsioni.
Rezultatet sugjerojnë se besimi te shkenca nuk varet vetëm nga shkollimi apo informacioni që marrin qytetarët, por edhe nga marrëdhënia e tyre me institucionet dhe kushtet në të cilat jetojnë.






