
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Paris, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes me ftesë të kreut të shtetit francez.
Forumi i Paqes në Paris mbledh përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat që lidhen me paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin mes vendeve.
Edicioni i këtij viti vendos në qendër rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit, në një periudhë të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet e shpejta teknologjike dhe sfidat klimatike.
Rama do të flasë për anëtarësimin në BE
Në kuadër të forumit, kryeministri shqiptar do të marrë pjesë në një sesion të posaçëm të formatit “Spotlight”, ku do të diskutojë perspektivën europiane dhe rëndësinë që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ka për brezat e rinj.
Pjesëmarrja e Ramës në këtë diskutim vjen në një periudhë kur integrimi europian mbetet një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme shqiptare.
Nga sovraniteti te bashkëpunimi ndërkombëtar
Kryeministri do të jetë gjithashtu pjesë e seancës plenare të Forumit të Paqes në Paris, me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi).
Diskutimi do të përqendrohet në dimensionet e ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rëndësinë e tij për përballimin e sfidave globale.
Në axhendën e vizitës është parashikuar edhe takimi dypalësh mes Ramës dhe Macron, ndërsa në informacionin e shpërndarë nuk janë specifikuar temat konkrete që do të trajtohen gjatë bisedës mes dy liderëve.






