Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka realizuar një nga investimet më të mëdha private shqiptare jashtë vendit, duke blerë ndërtesën historike Hertie-Haus, në qendër të Mynihut, Gjermani. Vlera e transaksionit nuk është bërë publike, por sipas raportimeve të mediave të specializuara gjermane në tregun e pasurive të paluajtshme, ajo vlerësohet mbi 100 milionë euro.

Në financimin e blerjes raportohet se është përfshirë edhe Raiffeisen Bank në Austri.

Ndërtesa, e njohur gjithashtu me emrin Tietz, është një prej objekteve më të njohura tregtare të qytetit gjerman dhe ndodhet pranë stacionit qendror të trenit.

Nga perandoria e falimentuar e miliarderit austriak te biznesmeni shqiptar

Historia e ndërtesës nis në vitin 1905, kur ajo u hap nga Hermann Tietz, një prej pionierëve të qendrave të mëdha tregtare në Gjermani.

Për dekada me radhë, Hertie-Haus ishte një pikë e rëndësishme e jetës tregtare të Mynihut. Në vitet ’90, rrjeti Hertie u ble nga Karstadt, ndërsa më vonë prona kaloi në duart e miliarderit austriak René Benko dhe grupit të tij Signa.

Por falimentimi i Signa-s në fund të vitit 2023 e la ndërtesën të braktisur, të rrethuar nga gardhe ndërtimi dhe pa aktivitet.

Tashmë, me blerjen nga Samir Mane, pritet që objekti historik të rikthehet në funksion.

Samir Mane: E vizitova katër herë para se të vendosja

Në një intervistë për gazetën gjermane tz, biznesmeni shqiptar ka treguar se vendimi për blerjen nuk ishte i menjëhershëm.

Ai e vizitoi ndërtesën katër herë dhe në dy raste kontrolloi nga afër ambientet e brendshme.

Mane konfirmoi se marrja zyrtare në dorëzim e pronës u realizua më 6 nëntor.

“Të premten ne e morëm zyrtarisht ndërtesën, të hënën arkitektët tanë mund të fillojnë punën. Ne dëshirojmë të marrim sa më shpejt të gjitha lejet e nevojshme”, deklaroi ai për median gjermane.

Biznesmeni theksoi se rikthimi i ndërtesës në funksion është në interes jo vetëm të kompanisë së tij, por edhe të qytetit dhe banorëve të Mynihut.

Çfarë do të bëhet me ndërtesën historike?

Samir Mane ka zbuluar se Hertie-Haus nuk do të shndërrohet në muze, por do të rikthehet në një qendër aktive tregtare dhe biznesi.

Sipas projektit paraprak, katet e poshtme do të shërbejnë për aktivitete tregtare, ndërsa katet e sipërme do të kthehen në zyra moderne të kategorisë A.

Në katin nëntokësor parashikohen gjithashtu hapësira për tregti të nivelit të lartë. Sipas raportimit gjerman, po zhvillohen bisedime me partnerë të mundshëm për shfrytëzimin e tyre.

Duke qenë se ndërtesa gëzon statusin e monumentit të mbrojtur, pamja e jashtme do të ruhet, ndërsa pjesa e brendshme do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të gjerë.

“Kjo ndërtesë ka qenë gjithmonë një vend takimi për të gjithë banorët e Mynihut dhe kështu do të jetë përsëri në të ardhmen. Ne nuk do ta kthejmë në muze”, ka deklaruar Mane.

Investimi i parë i madh në Mynih, synimi për përfundimin e punimeve

Për pronarin e BALFIN Group, ky është investimi i parë i madh në Mynih, megjithëse qyteti gjerman nuk është i panjohur për të.

Mane ka treguar se e viziton Mynihun prej 35 vitesh dhe se e vlerëson për pastërtinë, sigurinë dhe cilësinë e jetesës.

Ai ka shpjeguar se grupi i tij kishte kohë që kërkonte mundësi investimi në Europën Qendrore.

Sipas biznesmenit, vendimi përfundimtar u mor pas një vizite gjatë së cilës ndërtesa historike i la përshtypje të veçantë.

Sa i përket afatit të rikonstruksionit, Mane ka deklaruar se ekipi i tij parashikon përfundimin e punimeve për tre vjet e gjysmë, ndërsa ai synon që projekti të jetë gati brenda tre viteve.

Për të ndjekur nga afër investimin, biznesmeni ka bërë të ditur se planifikon të udhëtojë në Mynih çdo dy javë.

Blerja e Hertie-Haus zgjeron më tej portofolin ndërkombëtar të BALFIN Group, i cili është i pranishëm në sektorë si tregtia, pasuritë e paluajtshme, ndërtimi dhe hoteleri-turizmi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu