Shëndeti i kafshëve, kontrollet veterinare dhe identifikimi e regjistrimi i tyre janë ndër prioritetet e parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027 të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas dokumentit të paraqitur në Kuvend, programi i sigurisë ushqimore do të ketë një financim prej rreth 3 miliardë lekësh, ose 3% më shumë se në vitin 2026. Një pjesë e këtyre fondeve do të mbështesë veprimtarinë veterinare, monitorimin e sëmundjeve të kafshëve dhe forcimin e kontrolleve përgjatë zinxhirit ushqimor.

Identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve, pjesë e prioriteteve

Ministria parashikon forcimin e sistemeve të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve, si dhe të survejancës veterinare.

Këto masa synojnë përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe të kontrollit shëndetësor të kafshëve, veçanërisht në sektorin blegtoral.

Në dokument theksohet gjithashtu nevoja për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian.

Më shumë fonde për kontrollet dhe laboratorët veterinarë

Për vitin 2027, shpenzimet operative të programit të sigurisë ushqimore janë planifikuar në 694.1 milionë lekë, me një rritje prej 30 milionë lekësh krahasuar me vitin e mëparshëm.

Këto fonde do të mbështesin, ndër të tjera, programet e survejancës veterinare dhe funksionimin e laboratorëve zyrtarë.

Ndërkohë, për investime në programin e sigurisë ushqimore janë parashikuar 371 milionë lekë.

Ministria synon gjithashtu zgjerimin e metodave të validuara dhe të akredituara në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, përfshirë analizat për mbetjet e produkteve veterinare.

Mbështetje europiane për modernizimin e kontrolleve

Një tjetër element është projekti EU4FoodSafety, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

Projekti synon modernizimin e kontrolleve zyrtare, përmirësimin e kapaciteteve laboratorike dhe forcimin e inspektimeve të bazuara në vlerësimin e riskut.

Këto ndërhyrje lidhen me përgatitjen e Shqipërisë për zbatimin e standardeve europiane të sigurisë ushqimore dhe kontrollit veterinar.

Po kafshët e shoqërimit?

Megjithëse projektbuxheti përmend identifikimin e kafshëve, survejancën veterinare dhe forcimin e kontrolleve, dokumenti nuk përcakton fonde të veçanta për qentë dhe macet e shoqërimit.

Në fjalimin e ministrit nuk jepen masa specifike për sterilizimin e kafshëve endacake, strehimin e tyre, vaksinimin e kafshëve të shoqërimit apo mbështetjen financiare për klinikat veterinare.

Gjithashtu, nuk sqarohet nëse zgjerimi i identifikimit dhe regjistrimit do të përfshijë edhe qentë e macet apo do të përqendrohet te kafshët e fermave.

Kjo mbetet një çështje që kërkon sqarim në dokumentet më të detajuara të zbatimit të buxhetit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu