Një tragjedi e rëndë me emigrantë është regjistruar në ujërat në jug të ishullit grek të Kretës, ku të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet greke, në bashkëpunim me agjencinë europiane Frontex, kanë zhvilluar operacione të shumta kërkim-shpëtimi, duke arritur të shpëtojnë 133 emigrantë nga katër gomone.

Bilanci tragjik është rënduar mëngjesin e së hënës, 9 nëntor, kur në një gomone u zbuluan trupat e pajetë të 12 personave, ndërsa 18 të tjerë u shpëtuan.

12 trupa të pajetë në një gomone, ndërhyn anija e mallrave

Gomonja me emigrantë u pikas nga një anije mallrash që lundronte nën flamurin maroken.

Pas njoftimit, në vendngjarje mbërriti një mjet patrullues i Rojës Bregdetare greke, i cili mori në bord 18 të mbijetuarit dhe trupat e 12 viktimave.

Anija u drejtua më pas drejt portit të Agia Galinit, në Kretë.

Sipas autoriteteve, në momentin e operacionit kushtet atmosferike në zonë ishin të mira.

Rrethanat në të cilat humbën jetën 12 emigrantët mbeten objekt hetimi.

Një tjetër tragjedi, tetë viktima dhe dy të zhdukur

Ngjarja e së hënës pason një tjetër incident të rëndë të regjistruar të shtunën, më 7 nëntor, kur një gomone me emigrantë u përball me kushte të vështira atmosferike.

Nga kjo gomone u shpëtuan 28 shtetas sudanezë, ndërsa fillimisht u gjet një person i pajetë.

Për shkak të erërave të forta, që arrinin intensitetin 6 deri në 7 ballë, operacioni për nxjerrjen e trupave të tjerë u ndërpre përkohësisht.

Kërkimet vijuan gjatë natës dhe mëngjesit të së hënës, kur ekipet e shpëtimit zbuluan edhe shtatë trupa të tjerë brenda gomones.

Numri i viktimave nga ky incident arriti në tetë, ndërsa dy persona të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.

Dy prej të mbijetuarve u transportuan në spitalin e Heraklionit për ndihmë mjekësore.

Paguan mbi 2 mijë euro për udhëtimin nga Libia

Dëshmitë e emigrantëve të shpëtuar kanë zbuluar detaje mbi udhëtimin e rrezikshëm drejt Greqisë.

Sipas tyre, gomonia ishte nisur nga brigjet e Libisë në mëngjesin e 3 ose 4 nëntorit, me destinacion territorin grek.

Për të realizuar udhëtimin, secili prej emigrantëve kishte paguar mbi 2.000 euro.

Të mbijetuarit kanë dëshmuar gjithashtu se pasditen e 6 nëntorit, dy persona kishin rënë në det në rrethana ende të paqarta.

Që prej asaj kohe, ata rezultojnë të zhdukur.

Arrestohen dy sudanezë, njëri vetëm 16 vjeç

Në kuadër të hetimeve, autoritetet portuale të Heraklionit kanë arrestuar dy shtetas sudanezë, të moshave 28 dhe 16 vjeç.

Sipas autoriteteve greke, ata janë identifikuar nga të mbijetuarit si personat që dyshohet se organizuan dhe drejtuan transportin e emigrantëve.

Ndaj tyre janë ngritur akuza për hyrje të paligjshme në territorin grek, lehtësim të emigracionit të paligjshëm, krijim të grupit kriminal dhe ekspozim ndaj rrezikut që ka sjellë vdekjen e personave.

Hetimet po zhvillohen nga Autoriteti Qendror Portual i Heraklionit.

Vijojnë kërkimet në det

Roja Bregdetare greke dhe Frontex vazhdojnë operacionet për lokalizimin e dy personave të zhdukur, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë rrethanat e dy tragjedive.

Bilanci i deritanishëm është 20 viktima, dy të zhdukur dhe 133 persona të shpëtuar nga katër gomone.

Ngjarjet e fundit rikthejnë në vëmendje rreziqet e udhëtimeve të emigrantëve përmes Mesdheut, veçanërisht në itinerarin që lidh brigjet e Afrikës së Veriut me ishujt grekë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu