
Ka ndërruar jetë në spital Michal Oksinski, 24-vjeçari polak që të shtunën hapi zjarr ndaj turmës në qendër të Krakovës, duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur 15 të tjerë.
Autori i masakrës kishte mbetur i plagosur rëndë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, e cila ndërhyri pas sulmit në Sheshin e Tregut Kryesor, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit historik polak.
Vdekja e tij u konfirmua mëngjesin e së hënës, 9 nëntor, nga policia rajonale.
“Ju informojmë se autori i ngjarjeve tragjike ka ndërruar jetë këtë mëngjes në spital”, njoftuan autoritetet përmes një postimi në platformën X.
Para masakrës vrau prindërit dhe motrën
Hetimet kanë zbuluar se përpara se të sulmonte qytetarët në Krakovë, 24-vjeçari kishte kryer një tjetër krim të rëndë.
Sipas autoriteteve, ai kishte vrarë prindërit dhe motrën në banesën familjare, rreth dy orë larg Krakovës.
Më pas, i veshur me pajisje taktike dhe i armatosur me një pushkë automatike të tipit AR-15, ishte drejtuar drejt qendrës së qytetit, ku hapi zjarr ndaj njerëzve.
Gjashtë persona humbën jetën gjatë sulmit, mes tyre një shtetas britanik dhe një shtetase austriake.
Pesëmbëdhjetë persona të tjerë mbetën të plagosur. Mes tyre kishte shtetas britanikë, portugezë, rusë, gjermanë dhe austriakë.
Arratisja me makinë dhe përplasja e armatosur me policinë
Policia ndërhyri vetëm pak minuta pas nisjes së të shtënave.
Autori u largua nga vendngjarja me një automjet Subaru të zi, duke u përfshirë në një ndjekje me patrullat e policisë.
Gjatë arratisjes, në një kryqëzim, ai përplasi një automjet të ndaluar. Më pas doli nga makina dhe hapi zjarr ndaj dy efektivëve, duke i plagosur rëndë.
Në shkëmbimin e zjarrit, 24-vjeçari u plagos rëndë dhe u transportua në spital, ku ndërroi jetë dy ditë më vonë.
Kryeministri Tusk: Ishte akt terrorizmi
Autoritetet polake po hetojnë motivet e masakrës, ndërsa dyshimet janë përqendruar te bindjet ekstremiste të autorit.
Sipas ministrit të Brendshëm, Michal Oksinski ishte i tërhequr nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.
Kryeministri polak Donald Tusk e ka cilësuar sulmin një akt terrorizmi.
Ngjarja konsiderohet sulmi me armë zjarri më i rëndë në Poloni që nga përfundimi i regjimit komunist në vitin 1989.
Megjithatë, hetuesit theksojnë se nevojiten verifikime të mëtejshme për të përcaktuar motivet e sakta të 24-vjeçarit dhe nëse sulmi kishte lidhje me ndonjë organizatë apo rrjet ekstremist.
Për ngjarjen është hapur një hetim për një akt të natyrës terroriste.






