Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të grabitjes së një banke në zonën e Komunës së Parisit, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë. Në pranga ka rënë Robert Duka, 50 vjeç, nga Vlora, i cili dyshohet se është përfshirë edhe në një tjetër grabitje bankare në të njëjtën zonë.

Sipas burimeve të A2 CNN, arrestimi i 50-vjeçarit është kryer pranë rrugës së Kosovarëve në kryeqytet.

Kërcënoi stafin me armë, më pas u largua me monopatinë

Nga të dhënat paraprake të hetimit rezulton se Robert Duka dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke të nivelit të dytë në Komunën e Parisit, ku ka kërcënuar punonjësit me armë.

Pas grabitjes, ai dyshohet se është larguar nga vendngjarja duke përdorur një monopatinë, në përpjekje për t’iu shmangur identifikimit dhe kapjes nga policia.

Hetimet e kryera pas ngjarjes kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e tij.

Dyshohet edhe për një tjetër grabitje banke

Por grabitja e fundit mund të mos jetë e vetmja ngjarje në të cilën dyshohet se është përfshirë 50-vjeçari.

Sipas burimeve të A2 CNN, Robert Duka po hetohet edhe si autor i mundshëm i një grabitjeje tjetër bankare, të ndodhur disa muaj më parë, po në zonën e Komunës së Parisit.

Hetuesit po punojnë për të dokumentuar plotësisht të dyja ngjarjet dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e të arrestuarit.

Deri tani nuk janë bërë publike të dhëna mbi shumën e parave të grabitura apo nëse arma e përdorur gjatë ngjarjes është sekuestruar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu