
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re “Fol me Kryeministrin”, një hapësirë digjitale përmes së cilës qytetarët mund të komunikojnë me kreun e qeverisë, të shprehin mendimet e tyre dhe të marrin pjesë në dialog.
Platforma do të jetë e hapur 24 orë në ditë dhe mund të përdoret si nga kompjuteri, ashtu edhe nga telefoni celular.
Prezantimi vjen në një periudhë protestash dhe tensionesh, të cilave Rama iu referua gjatë prezantimit, duke e cilësuar platformën si një mundësi për të kapërcyer pengesat e komunikimit.
“Pas protestave dhe kërcënimeve, kjo është ura që kemi ngritur për ju”
Kryeministri deklaroi se platforma synon të krijojë një kanal komunikimi për të gjithë ata që dëshirojnë të dialogojnë me qeverinë, pavarësisht situatës së krijuar nga protestat.
“Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog në kushtet kur vijmë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju”, u shpreh Rama.
Sipas tij, teknologjia krijon mundësinë që komunikimi të mos kushtëzohet nga përplasjet apo vështirësitë për zhvillimin e takimeve të drejtpërdrejta.
Platformë 24 orë, një ekip i posaçëm do të ndjekë komunikimet
Një nga elementet kryesore të platformës është funksionimi i saj pa ndërprerje.
Rama bëri të ditur se një ekip i dedikuar do të kujdeset për qarkullimin e informacionit dhe të opinioneve të shkëmbyera mes qytetarëve dhe qeverisë.
“Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë, një urë ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit edhe të opinioneve që shkëmbehen”, deklaroi kryeministri.
Platforma synon t’u japë qytetarëve një mundësi të re për të paraqitur shqetësimet, mendimet dhe qëndrimet e tyre përmes një kanali digjital.
Rama: “Do të shkrihen akujt e vendosur artificialisht”
Kryeministri iu referua edhe klimës së polarizuar, duke shprehur bindjen se pengesat që, sipas tij, janë krijuar për dialogun do të kapërcehen.
“Besoj që më herët se vonë do të shkrihen dhe akujt e vendosur artificialisht nga ata të cilët mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, mund t’i imponohen bashkëjetesës demokratike, mund t’i imponohen të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej tyre”, tha Rama.
Ai theksoi se qeveria do të shfrytëzojë mundësitë që ofron teknologjia për të krijuar hapësira të reja komunikimi.
“E keni në kompjuter, e keni në pasqyrën e celularit. Mirë se vini në ‘Dialog’!”, përfundoi kryeministri.
Platforma “Fol me Kryeministrin” prezantohet kështu si një kanal i ri ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, në një moment kur dialogu politik dhe protestat janë në qendër të debatit publik.






