Protestat studentore vijojnë në Tiranë, pavarësisht reshjeve të shiut dhe incidenteve të dhunshme të një dite më parë. Të dielën, më 1 nëntor, të rinj dhe qytetarë u mblodhën sërish përpara Ministrisë së Arsimit, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku lëshuan thirrje kundër dy figurave kryesore të politikës shqiptare.

“Rama në burg, Berisha në burg!”, ishte slogani që u dëgjua përpara godinës së qeverisë, ndërsa protestuesit vijuan tubimin edhe pse shiu kishte përfshirë kryeqytetin gjatë pjesës më të madhe të ditës.

Ndryshe nga e shtuna, kur u regjistruan përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, situata gjatë protestës së të dielës ishte më e qetë.

Balla publikon videon: “Nuk qëllohet mbi Policinë, or trim!”

Ndërkohë që kjo e diel kaloi pa incidente, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka publikuar një video nga incidentet e protestës së jë dite më parë, ku një person shfaqet duke përdorur një llastiqe për të qëlluar me sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit.

Balla e ka shoqëruar publikimin me një reagim të fortë, duke paralajmëruar se personi përgjegjës do të përballet me ligjin.

“Asnjë veprim i paligjshëm nuk do të mbetet pa vendosur autorin para ligjit! Nuk qëllohet mbi Policinë, or ‘trim’”, shkruan deputeti socialist.

Sipas raportimit, autori i dyshuar është identifikuar, por nuk janë bërë publike gjeneralitetet e tij apo masat konkrete të marra ndaj tij.

Gjashtë të arrestuar pas protestës së dhunshme

Reagimi i Ballës vjen pas bilancit të bërë publik nga Policia e Tiranës për incidentet e së shtunës.

Sipas policisë, gjashtë persona janë arrestuar, tre janë proceduar penalisht dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Mes të arrestuarve janë edhe dy të mitur dhe një shtetas i huaj.

Policia njoftoi se gjatë protestës ishin përdorur bomba molotov, gurë, sfera dhe vida metalike ndaj efektivëve, ndërsa ishin djegur edhe kazanë mbeturinash dhe ishte penguar qarkullimi rrugor.

Mes veprave penale të referuara në Prokurori për incidentet është edhe vrasja e punonjësit të Policisë, e mbetur në tentativë. Ende nuk është sqaruar publikisht se ndaj cilëve persona është ngritur konkretisht ky dyshim.

Protesta vazhdon, studentët kundër Ramës dhe Berishës

Pavarësisht incidenteve dhe arrestimeve të një dite më parë, protesta studentore ka vijuar edhe të dielën.

Thirrjet kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës tregojnë se pjesëmarrësit që përdorën këtë slogan po shprehin kundërshtimin jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj drejtuesit të opozitës.

Ndërsa policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për dhunën e së shtunës, studentët dhe qytetarët që dolën sërish në shesh kanë vijuar protestën në kushte më të qeta.

Dy zhvillime kanë shënuar kështu fundjavën e protestave në Tiranë: incidentet dhe arrestimet e së shtunës, si dhe marshimi i së dielës, ku shiu nuk i pengoi protestuesit të riktheheshin përpara Kryeministrisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu