
Mes përplasjeve, flakadanëve dhe bllokimit të foltores nga opozita, Kuvendi ka miratuar në parim me 84 vota projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë. Seanca e së enjtes, 29 tetor, u shoqërua me incidente të shumta, ndërsa deputetët demokratë hodhën sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama, i cili u largua nga salla pas votimit.
Tensionet nisën që në hapje të punimeve, kur deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren dhe goditën tavolinat, duke protestuar kundër dhunës së pretenduar policore ndaj studentëve.
Situata u përshkallëzua kur kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se deputetët socialistë meritonin gaz lotsjellës dhe plumba gome.
“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi deklaratën thirrje për dhunë dhe i hoqi Berishës të drejtën e fjalës për gjithë ditën.
Pas ndërprerjeve të njëpasnjëshme, deputetët e opozitës ndezën flakadanë dhe tymuese në sallë, ndërsa disa prej tyre u përplasën me punonjësit e Gardës.
Për shkak të situatës, Peleshi vendosi kalimin e projektligjeve në votim pa diskutim.
Sende drejt Ramës, katër deputetë të PD përjashtohen
Kryeministri Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ishin të pranishëm në seancën plenare.
Gjatë tensioneve, deputetët e opozitës hodhën sende në drejtim të kryeministrit. Rama u largua nga salla pas votimit të projektligjit për Bankën e Shqipërisë.
Ndërkohë, katër deputetë demokratë, Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati, u përjashtuan nga seanca për shkak të incidenteve.
Ligji për Bankën e Shqipërisë kalon me 84 vota
Pavarësisht tensioneve, Kuvendi miratoi në parim me 84 vota projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, duke arritur shumicën e cilësuar të nevojshme.
Nga votat e regjistruara, 83 u dhanë elektronikisht dhe një me karton.
Projektligji parashikon mbrojtje të posaçme procedurale për guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, duke përcaktuar se arrestimi apo kufizimi i lirisë së tyre do të kërkojë autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
Një tjetër dispozitë parashikon që euro të bëhet monedha zyrtare e Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Sipas raportimeve nga seanca, Kuvendi kaloi edhe nismat e tjera të rendit të ditës, ndërsa punimet u mbyllën rreth orës 11:56.
Alizoti: Në rendin e ditës duhej të ishte protesta e studentëve
Pas përfundimit të seancës, deputeti demokrat Tomor Alizoti mbrojti qëndrimin e opozitës, duke deklaruar se Kuvendi duhej të diskutonte krizën politike dhe protestat studentore.
Sipas tij, qeveria po shpërfill pakënaqësinë e qytetarëve, ndërsa kërkoi që kryeministri të japë dorëheqjen për të krijuar paqe sociale.
Seanca e 29 tetorit përfundoi kështu mes përplasjeve të forta politike, ndërsa projektligjet u votuan pa debatin e zakonshëm parlamentar.






