Një person është arrestuar dhe 17 të tjerë janë proceduar penalisht pas hetimeve të Drejtorisë së Antiterrorit për kërcënime dhe thirrje publike për dhunë në rrjetet sociale, në kontekstin e protestave të zhvilluara në Tiranë dhe qarqe të tjera që prej 13 tetorit.

Policia e Shtetit njoftoi se ka referuar gjithashtu në Prokurori tetë raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin e personave që administrojnë llogaritë përkatëse në rrjetet sociale.

Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Antiterrorit, në bashkëpunim me Hetimin e Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Kërcënoi me vendosjen e bombave në tri godina, ndalohet 33-vjeçari

Në pranga ka rënë shtetasi E. Xh., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”.

Sipas policisë, 33-vjeçari dyshohet se ka dërguar një mesazh kërcënues në llogarinë e Facebook-ut të një subjekti privat, duke paralajmëruar vendosjen e bombave në tri godina të ndryshme të këtij subjekti.

Thirrje për dhunë, mbledhje fondesh në GoFundMe dhe bexh gazetari

Mes personave të proceduar është edhe A. K., 34 vjeç, i dyshuar se ka bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave përmes Instagramit.

Policia pretendon se ai ka hapur gjithashtu një llogari në platformën GoFundMe për të mbledhur fonde, duke u paraqitur para qytetarëve si person të cilit i rrezikohej jeta.

Gjatë kontrollit, 34-vjeçarit i është gjetur një dokument identifikues, ose bexh, me të cilin, sipas policisë, prezantohej si gazetar për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga efektivët.

Dokumenti është sekuestruar si provë materiale.

Ofroi para për dhunë ndaj deputetëve dhe ministrave

Një tjetër rast është ai i E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, i proceduar për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrje për urrejtje nacionale”.

Sipas Antiterrorit, 51-vjeçari ka publikuar video në rrjetet sociale ku dyshohet se ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj deputetëve të Kuvendit dhe anëtarëve të qeverisë.

Ndërkohë, G. P., 37 vjeç, është proceduar për “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekje”.

Policia thotë se ai ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shoqëruara me komente fyese dhe akuzuese.

Sipas autoriteteve, publikimi i identiteteve të efektivëve të angazhuar gjatë protestave mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të familjarëve.

Në llogarinë e administruar nga 37-vjeçari janë konstatuar gjithashtu postime me përmbajtje kërcënuese ndaj institucioneve shtetërore.

Banderolë me simbol nazist në Universitetin Politeknik

Antiterrori ka proceduar edhe O. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë një proteste dyshohet se ka vendosur një banderolë me simbol nazist në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik.

Ai po hetohet për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”.

Dy persona të tjerë, A. G., 56 vjeç, dhe A. A., 50 vjeç, janë proceduar për publikime në rrjetet sociale që, sipas policisë, përmbanin thirrje për dhunë apo përmbajtje antikushtetuese.

Gjithashtu, 11 shtetas të tjerë, të moshave nga 18 deri në 46 vjeç, janë proceduar për thirrje publike për veprime të dhunshme, të bëra përmes mesazheve, komenteve dhe postimeve në platforma të ndryshme online.

Në hetim edhe tetë llogari në rrjetet sociale

Përveç 18 personave të identifikuar, njëri i ndaluar dhe 17 të proceduar, Policia ka referuar në Prokurori edhe tetë raste që lidhen me llogari në rrjetet sociale.

Shtatë prej tyre dyshohet se kanë shpërndarë mesazhe që nxisin dhunë gjatë protestave, ndërsa një llogari në Instagram po hetohet edhe për përhapje informacionesh të rreme që ngjallin panik.

“Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të administratorëve të këtyre llogarive dhe shtetasve të tjerë të lidhur me to”, njoftoi Policia e Shtetit.

Materialet i janë referuar prokurorive kompetente për hetime të mëtejshme.

Hetimet lidhen me protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera gjatë dy javëve të fundit, një pjesë e të cilave janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu