Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat dhe përplasjet e dhunshme në kryeqytet, duke deklaruar se prioritet mbetet rikthimi i normalitetit në Tiranë dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve.

Në një mesazh për mediat, më 28 tetor, Rama iu drejtua veçanërisht qytetarëve që nuk marrin pjesë në aktet e dhunës, por që, sipas tij, po përballen me frikë dhe vështirësi në jetën e përditshme si pasojë e situatës së krijuar.

Kreu i qeverisë theksoi se mes tyre ka edhe qytetarë që nuk e mbështesin politikisht, por që kërkojnë të jetojnë normalisht, pa u detyruar të ndryshojnë aktivitetet e tyre për shkak të protestave.

“Të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij agresioni dhe që përjetojnë frikë nga kjo turmë dhunuesish. Kam parasysh edhe ata që nuk janë dakord që më kanë mua kryeministër. Por dhe ata që duan të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës për shkak të një turme agresive”, deklaroi Rama.

Kryeministri vuri në pikëpyetje të drejtën e grupeve të dhunshme për të imponuar sjelljen e tyre ndaj pjesës tjetër të shoqërisë.

“A mund të na imponohet të gjithëve një turmë pasi ka ardhur vërdallë duke xhiruar përnatë me britma, apo duke bullizuar dhe goditur drejtues automjetesh, shpërthen në eufori kundër qytetit, Policisë së Shtetit?”, u shpreh ai.

Rama kritikoi gjithashtu përbërjen e grupeve të përfshira në përplasje, duke pretenduar se mes tyre ka individë me qëllime dhe interesa të ndryshme.

“Kush janë dhe në emër të kujt duan të imponojnë forcën e antinjerëzillëkut? Janë mbledhur bashkë individë dhe grupe që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”, deklaroi kryeministri.

Reagimi vjen në një kohë kur protestat e nisura më 13 tetor vijojnë në Tiranë. Disa prej tubimeve janë shoqëruar me sulme ndaj policisë dhe institucioneve, si dhe me ndërhyrje të forcave të rendit, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës.

Ndërkohë, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa janë ngritur edhe akuza për përdorim joproporcional të forcës nga policia, për të cilat janë kërkuar hetime.

Qeveria ka prezantuar masa të reja kundër dhunës gjatë tubimeve, ndërsa Rama ka përsëritur ftesat për dialog me protestuesit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu