Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për transferimin e tij nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt atij të Fierit, duke e cilësuar procedurën një “rrëmbim policor” dhe duke akuzuar autoritetet për mungesë transparence.

Në një deklaratë për shtyp të datës 28 tetor 2026, Veliaj pretendon se as atij dhe as avokatit të tij nuk u është vënë në dispozicion dokumenti që urdhëron transferimin, pavarësisht kërkesave të përsëritura.

“Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit”, deklaron kryebashkiaku.

Sipas tij, autoritetet kanë refuzuar t’i bëjnë të ditura arsyet ligjore që justifikojnë këtë vendim.

“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, shprehet Veliaj.

Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se e ka kundërshtuar mënyrën e realizimit të tij.

“Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore”, deklaron ai.veliaj kërkon ndërhyrjen e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në deklaratën e tij, kryebashkiaku i drejtohet publikisht ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke kërkuar verifikimin urgjent të vendimit.

“I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik”, përfundon Veliaj.

Edhe avokati i tij, Plarent Ndreca, ka deklaruar se mbrojtjes nuk i është vënë në dispozicion akti zyrtar i transferimit dhe argumentimi përkatës.

Vendimi për zhvendosjen e Veliajt nga Durrësi në Fier është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në momentin e raportimit, institucioni nuk kishte bërë publike arsyet e transferimit.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025, pas arrestimit në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme. Ai përballet me akuza për korrupsion dhe vepra të tjera penale, të cilat i ka mohuar.

Deklarata e tij hap një tjetër përplasje me autoritetet, ndërsa mbetet për t’u sqaruar baza ligjore dhe arsyet konkrete të vendimit për ndryshimin e institucionit të paraburgimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu