Pamje prekëse janë publikuar nga kryeqyteti ukrainas, Kievi, pas sulmeve ruse gjatë natës së 26 duke u gdhirë 27 tetori. Mes ndërtesave të shkatërruara dhe rrënojave, ekipet e emergjencës kanë arritur të shpëtojnë një qen të vogël, pronarja e të cilit kishte humbur jetën gjatë bombardimeve.

Videoja e shpërndarë nga agjencia franceze e lajmeve AFP tregon momentet kur zjarrfikësit nxjerrin kafshën nga rrënojat dhe përpiqen t’i japin ndihmën e parë.

Qeni, i frikësuar dhe i plagosur, kishte mbijetuar mes materialeve të shembura të ndërtesës. Pas nxjerrjes së tij, punonjësit e emergjencës e mbajtën në krahë dhe u kujdesën për të, përpara se ta transportonin, në bashkëpunim me policinë, drejt një klinike veterinare.

Por pas këtij shpëtimi fshihej një histori tragjike. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, gruaja që kujdesej për kafshën kishte mbetur e vrarë nga sulmi.

Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, zjarrfikësit zbuluan edhe një qen tjetër të plagosur pranë një gardhi.

Kafsha qëndronte e shtrirë, ndërsa sipas autoriteteve ukrainase, priste të zotin, i cili gjithashtu nuk ishte kthyer pasi kishte humbur jetën gjatë bombardimeve.

Rasti i dy kafshëve është bërë një nga historitë më prekëse të sulmit të fundit rus mbi Kievin.

Pamjet tregojnë se si ekipet e shpëtimit, krahas përpjekjeve për të ndihmuar banorët e goditur nga bombardimet, përpiqen të shpëtojnë edhe kafshët e mbetura mes shkatërrimeve.

Sulmet ruse të natës shkaktuan viktima dhe të plagosur, si dhe dëmtime në ndërtesa banimi, objekte universitare dhe infrastrukturë të kryeqytetit ukrainas.

Në mes të shkatërrimeve, videoja e zjarrfikësve që mbajnë në krahë qenin e shpëtuar ka përcjellë një tjetër dimension të pasojave të luftës: kafshët që mbijetojnë, por humbasin njerëzit që kujdeseshin për to.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu