
Sipas BBC, Reuters dhe mediave braziliane, autoritetet i kanë anuluar pasaportat senatorit 45-vjeçar, pasi ai nuk respektoi afatin 24-orësh të vendosur nga Gjykata e Lartë për dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit.
Urdhri u dha të hënën, më 26 tetor, nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes, në kuadër të hetimeve ndaj Bolsonaros për dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.
Politikani i djathtë i ka mohuar akuzat.
Dyshimet për arratisje janë shtuar pasi Bolsonaro nuk ka bërë asnjë dalje publike që prej pasdites së të hënës. Ai, që zakonisht është shumë aktiv në rrjetet sociale, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vendndodhjen e tij.
Në videon e fundit të publikuar në Instagram, Bolsonaro deklaronte se nuk kishte ndër mend të largohej nga Brazili dhe se do t’i bindej vendimit të gjykatës.
Megjithatë, dokumentet nuk u dorëzuan brenda afatit dhe policia federale nisi verifikimet.
Mediat argjentinase raportuan se kandidati i mundur mund të kishte kaluar kufirin drejt Argjentinës, me synimin për të udhëtuar më pas drejt Shteteve të Bashkuara me një avion privat.
Sipas raportimeve, një avion në aeroportin ndërkombëtar të Iguazús u vu nën kontrollin e autoriteteve argjentinase, për shkak të dyshimeve se mund të përdorej për udhëtimin e Bolsonaros.
Por autoritetet e Argjentinës deklaruan se nuk kanë asnjë regjistrim zyrtar të hyrjes së tij në vend. Ato sqaruan gjithashtu se dokumentacioni i avionit rezultoi i rregullt dhe nuk kishte plan fluturimi që përfshinte familjen Bolsonaro.
Edhe policia braziliane konfirmoi se nuk ka prova të një kalimi të regjistruar të kufirit nga senatori.
Për rrjedhojë, pretendimet se ai është arratisur drejt Argjentinës apo SHBA-së mbeten të pakonfirmuara.
Ngjarja vjen pas humbjes së Flávio Bolsonaros në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 25 tetorit.
Presidenti aktual, Luiz Inácio Lula da Silva, siguroi një mandat të katërt historik me 51,79% të votave, kundrejt 48,21% të kandidatit të djathtë.
Rezultati ishte një surprizë politike, pasi Bolsonaro kishte dalë i pari në raundin fillestar të 4 tetorit dhe disa sondazhe e paraqisnin favorit edhe për balotazhin.
Megjithatë, djali i ish-presidentit refuzoi të pranonte humbjen dhe kundërshtoi rezultatin, duke pretenduar se zgjatja me dy orë e procesit të votimit kishte dëmtuar garën e tij.
Partia Liberale, me të cilën ai kandidoi, e ka pranuar rezultatin zgjedhor.
Një tjetër element që ka shtuar spekulimet është qëndrimi i vëllait të tij, Eduardo Bolsonaro, i cili jeton në Teksas dhe kishte deklaruar përpara zgjedhjeve se Flávio duhej të largohej nga Brazili në rast humbjeje.
Vetë senatori e kishte kundërshtuar këtë ide, duke këmbëngulur se do të qëndronte në vend për të vazhduar aktivitetin politik opozitar.
Ndërkohë, babai i tij, ish-presidenti Jair Bolsonaro, është dënuar me 27 vite burg për përfshirjen në një komplot për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2022. Aktualisht ai ndodhet në arrest shtëpie për arsye shëndetësore.
Zhvillimet e fundit kanë rikthyer vëmendjen te familja Bolsonaro dhe përplasja e saj me institucionet e drejtësisë në Brazil.
Për momentin, pyetja kryesore mbetet pa përgjigje: ku ndodhet Flávio Bolsonaro dhe përse nuk zbatoi urdhrin e Gjykatës së Lartë për dorëzimin e pasaportave?






