Kosova është gati të dërgojë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Rripin e Gazës, në kuadër të misionit ndërkombëtar të stabilizimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, nisja e trupave do të varet nga gatishmëria e strukturave ndërkombëtare për t’i pranuar dhe nga zhvillimet e situatës në terren.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka konfirmuar për gazetën izraelite The Times of Israel se përgatitjet për pjesëmarrjen në mision kanë përfunduar dhe se një pjesë e kontingjentit është në pritje të dislokimit.

Detyra kryesore e ushtarakëve kosovarë do të jetë çminimi dhe asgjësimi i mjeteve shpërthyese, një operacion i rëndësishëm për sigurinë e popullsisë dhe të personelit që do të veprojë në territorin e Gazës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kontributi i Kosovës do të përfshijë një ekip të specializuar për identifikimin dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese, të njohur si EOD, një komandant kontingjenti që do të shërbejë si oficer ndërlidhës, si dhe personel tjetër mbështetës.

Ministria nuk ka bërë të ditur numrin përfundimtar të pjesëtarëve që do të marrin pjesë në operacion.

Autoritetet kosovare kanë sqaruar se ekipi është i gatshëm, por data e nisjes nuk është përcaktuar ende.

Vendimi për dislokimin do të merret në koordinim me Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) dhe autoritetet përkatëse, në varësi të kushteve të sigurisë dhe gatishmërisë së misionit.

Përgatitjet kanë nisur muaj më parë. Më 26 prill 2026, një ekip i FSK-së zhvilloi një vizitë vlerësuese në Gaza për të analizuar zonat ku parashikohet të operojnë trupat kosovare.

Më pas, gjatë muajit maj, pjesëtarë të Kosovës iu nënshtruan trajnimeve nga forcat partnere, në funksion të pjesëmarrjes së tyre në operacion.

Kosova ka qenë ndër vendet që kanë shprehur angazhimin për të kontribuar në këtë forcë ndërkombëtare, së bashku me Shqipërinë, Marokun dhe Kazakistanin.

Edhe Shqipëria formalizon pjesëmarrjen në Gaza

Ndërkohë, Shqipëria ka hedhur një hap konkret drejt përfshirjes së saj në misionin ndërkombëtar.

Më 23 tetor, Ministria shqiptare e Mbrojtjes njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e vendit në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

Marrëveshja u nënshkrua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandanti i ISF-së, gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers.

Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe ambasadori amerikan, Eric Wendt.

Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të kontribuojë në mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe planifikimin operacional të misionit.

Oficerët shqiptarë të ndërlidhjes pritet të dislokohen në rajon gjatë muajit nëntor, sipas njoftimit të Bordit të Paqes.

Misioni ndërkombëtar përballet me vonesa

Pavarësisht angazhimit të disa vendeve, dislokimi operacional i forcës ndërkombëtare brenda Gazës ende nuk ka nisur.

Plani i mbështetur nga SHBA-të parashikon që kjo forcë të ndihmojë në ruajtjen e sigurisë në zonat nga të cilat tërhiqen trupat izraelite, të mbështesë trajnimin e policisë palestineze dhe të krijojë kushte më të sigurta për operacionet humanitare.

Megjithatë, zbatimi i tij mbetet i lidhur me çështje të pazgjidhura, përfshirë çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe organizimin e administrimit të ardhshëm të Gazës.

Për Kosovën, ky angazhim përfaqëson një mundësi për të marrë pjesë në një mision ndërkombëtar sigurie jashtë rajonit, ndërsa për Shqipërinë shënon një tjetër kontribut në një operacion shumëkombësh të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Për momentin, të dyja vendet kanë konfirmuar gatishmërinë dhe angazhimet përkatëse, por mbetet për t’u përcaktuar se kur personeli i tyre do të nisë detyrat operative në terren.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu