Një ndërprerje e pretenduar e energjisë elektrike në aeroportin “Nënë Tereza” ka ngritur pikëpyetje për funksionimin e tij. Por në rrjetet sociale, krahas shqetësimeve për sigurinë dhe shërbimet aeroportuale, po qarkullojnë edhe teori për mbërritjen e ushtarëve izraelitë në Shqipëri. Madje, si provë po përdoren pamje të personave që ndodhen në aeroport, të cilët, sipas përshkrimit të videos, janë duke kryer procedurat e check-in-it.

Gazeta Reforma ka publikuar pamje ku pretendohet se aeroporti i Rinasit ka mbetur pa energji elektrike. Sipas medias, një problem i ngjashëm është raportuar edhe disa ditë më parë nga turistë të huaj.

Në mungesë të një sqarimi zyrtar për shkakun dhe kohëzgjatjen e ndërprerjes së pretenduar, pyetjet për funksionimin e aeroportit janë të ligjshme.

Por, ndërsa dikush kërkon të dijë pse janë fikur dritat, dikush tjetër duket se ka zbuluar një operacion ushtarak ndërkombëtar.

Në rrjetet sociale po qarkullojnë pretendime se në Shqipëri po mbërrijnë ushtarë izraelitë. Për të mbështetur këtë teori, janë përdorur edhe pamje të personave me veshje karakteristike të hebrenjve ultraortodoksë.

Problemi i parë me këtë zbulim të madh është se personat e filmuar, sipas përshkrimit të pamjeve, ndodhen në procedurat e check-in-it, pra në procesin që zakonisht kryhet përpara nisjes së një fluturimi.

Me fjalë të tjera, konspiracionistët kanë arritur të zbulojnë një zbarkim ushtarak duke filmuar njerëz që mund të jenë duke u larguar nga Shqipëria.

Problemi i dytë është edhe më domethënës: veshja tradicionale e hebrenjve ultraortodoksë nuk është uniformë e ushtrisë izraelite.

Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e komuniteteve ultraortodokse në Izrael historikisht kanë kundërshtuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndërsa çështja e rekrutimit të tyre vazhdon të shkaktojë debate dhe protesta në vetë Izraelin.

Kjo nuk do të thotë se asnjë hebre ultraortodoks nuk shërben në ushtri. Do të thotë se të shohësh njerëz me veshje fetare dhe t’i shpallësh automatikisht ushtarë është një përfundim pa asnjë bazë.

Por për teoritë e konspiracionit këto hollësi duket se janë të tepërta.

Dje në protestat e Tiranës pretendohej se ishin angazhuar policë serbë, një pretendim që Policia e Shtetit e mohoi kategorikisht. Sot, në skenarin e radhës, shfaqen ushtarët izraelitë.

Me këtë ritëm, nëse nesër në aeroport shfaqet një grup turistësh japonezë, rrezik të shpallen forcat speciale të Tokios.

Ironia është se, ndërsa teoritë ndërkombëtare shumohen, pyetja reale mbetet shumë më tokësore: a ka pasur ndërprerje të energjisë në aeroport dhe, nëse po, përse?

Një aeroport ndërkombëtar duhet të garantojë funksionimin e sistemeve kritike dhe të informojë publikun për çdo incident që mund të ndikojë te pasagjerët dhe fluturimet.

Kjo kërkon transparencë dhe përgjigje konkrete, jo fantazi për operacione sekrete.

Sepse për të kuptuar nëse dikush po vjen apo po ikën nga aeroporti, ndonjëherë mjafton të dish dallimin mes check-in-it dhe mbërritjeve. Nuk është e nevojshme të jesh ekspert i inteligjencës ushtarake.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu